Shqipëria praktikisht e kualifikuar në Evropian

Futboll

Shqipëria praktikisht e kualifikuar në Evropian

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 14:24
Shqipëria

Vetëm një skenar dramatik mund t’ia mohojë Shqipërisë pjesëmarrjen në finalet e “Euro 2024”, që do të zhvillohen në Gjermani. Kuqezinjtë nuk i kanë lënë asgjë rastësisë: e kishin fatin në dorën e tyre dhe nuk e shpërdoruan mundësinë e artë që iu dha.

Dy fitoret e fundit në “Air Albania”, 2-0 me Poloninë dhe 3-0 me Çekinë, praktikisht i kanë kualifikuar kuqezinjtë në eventin madhor të futbollit të Kontinentit të Vjetër.

Do të mjaftojë vetëm një pikë në dy ndeshjet e radhës, për ta prerë biletën si vendi i dytë.

Por ambiciet dhe mundësitë janë më të mëdha: Shqipëria me një fitore e mbyll si e para e Grupit H.

Shqipëria ka grumbulluar 13 pikë, 5 më shumë se Çekia, që pas pak ditësh pret Ishujt Faroe, dhe 4 më shumë se Polonia, që luan në shtëpi me Moldavinë.

Fitorja e pritshme ndaj vendit të fundit do ta çonte Çekinë në kuotën e 11 pikëve dhe më dy ndeshje në dispozicion, ndaj Polonisë dhe Moldavisë.

Gjithashtu suksesi i mundshëm i Polonisë ndaj Moldavisë, i çon polakët në kuotën e 12 pikëve, një më pak se Moldavia.

Në këtë skenar, Shqipëria shkon në dy ndeshjet e fundit si kryesuese e grupit dhe do t’i mjaftonte një pikë, qoftë në Moldavi, qoftë në “Air Albania”, që të kualifikohej.

Edhe nëse Moldavia bën surprizën ndaj Polonisë, sërish Shqipërisë do t’i mjaftonte një pikë, pasi moldavët do të duhet të fitojnë me Çekinë në ndeshjen e fundit për të shkuar në Evropian (edhe nëse fitojnë me Shqipërinë). Por nëse Çekia lë pikë me Moldavinë, nuk e kalon Shqipërinë edhe nëse fiton me Poloninë.

Rivalet e Shqipërisë në ndeshjet e radhës kryqëzohen me njëra-tjetrën dhe çdo skenar rezultatesh nuk e zbret Shqipërinë poshtë vendit të dytë (Shqipëria ka përparësinë e ndeshjeve direkte si me Poloninë ashtu edhe me Çekinë).

Duket se fati i Shqipërisë është parashkruar: do të jetë në Gjermani 2024, me shumë gjasa edhe si vend i parë në grup.

Ndeshet e radhës:

(15 tetor)       Çeki – Ishujt Faroe

Poloni – Moldavi

(17 nëntor)      Moldavi – Shqipëri

Poloni – Çeki

(20 nëntor)     Shqipëri – Ishujt Faroe

Çeki – Moldavi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat