Elbasani zgjohet në vend të parë, Tirana shkatërron Vllazninë

Futboll

Elbasani zgjohet në vend të parë, Tirana shkatërron Vllazninë

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 14:08
Pamje nga një ndeshje

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka hapur dje në mbrëmje javën e dytë, me dy ndeshjet e para. Pasi e nisi me hap fals sezonin, Tirana ka reaguar mjaft mirë, duke treguar forcën kundër Vllaznisë në “Farie Hoti”.

Kampionët në fuqi u shfaqën dominues ndaj shkodranëve, për të fituar thellë 92-66 (21-18, 26-8, 25-16, 20-24).

Një ndeshje e kontrolluar që prej fillimit e deri në fund nga bardheblutë e Erkand Karajit. Tirana tregoi efikasitet në lojën sulmuese, ndërsa edhe mbrojtja u tregua në lartësinë e duhur, ndonëse përballë nuk kishin kundërshtarët më të fortë të mundshëm. Vendësit i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me 21 pikë avantazh, për ta thelluar në 30 pikë epërsinë pas 30 minutash, ndërsa çereku i fundit kishte vetëm vlerë statistikore.

Pesë lojtarë në radhët e kryeqytetasve prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa më të mirët ishin Hysenagolli me 17 pikë e 13 kërcime si dhe Myles me 17 pikë e 12 kërcime. Për Vllazninë nuk mjaftoi amerikani Saab, autor i 22 pikëve.

Në takimin tjetër të zhvilluar në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, Elbasani vendës mundi Fierin në shifra të thella 98-68 (26-5, 22-26, 23-24, 27-13).

Verdheblutë e Fabian Gjukës e nisën furishëm që në periodën e parë, ndërsa fierakët vuajtën emocionet e skuadrës debutuese,

duke shënuar vetëm 6 pikë. Më tej të zotët e shtëpisë e administruan lojën me qetësi, duke futur në kasafortë fitoren e dytë në kampionat, për t’u ngjitur momentalisht në vend të parë. MVP u shpall amerikani Evans, i cili për pak nuk preku tripletën dyshifrore, me 26 pikë, 12 kërcime e 8 asiste për Elbasanin.

Ndërkohë në radhët e fierakëve, të cilët drejtohen nga një trajnere femër, Hermiona Çuko, më rezultativi ishte amerikani Anyanwu, autor i 34 pikëve. Java e dytë do të vijojë sot me ndeshjet Skënderbeu-Partizani e Apolonia-Teuta, ndërsa do të mbyllet nesër me sfidën Besëlidhja - Kamza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat