Tuchel kundër Hoeness: ja çfarë po ndodh

Futboll

Tuchel kundër Hoeness: ja çfarë po ndodh

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:38
Tuchel

Nëse stërvitni një klub të madh si Bayern Munich, edhe dy barazime në shtatë ndeshje të kampionatit dhe një diferencë prej vetëm dy pikësh nga vendi i parë mund të krijojnë tension.

Aq më tepër nëse titulli i sezonit të kaluar ka ardhur në mënyrë aksidentale, për të mos thënë si një dhuratë nga Borussia Dortmund në javën e fundit.

Këtë e di mirë Thomas Tuchel dhe shtatë muaj pas uljes në stolin e skuadrës më të suksesshme të Gjermanisë, duket se ende nuk është përshtatur me mjedisin.

Siç zbulon Bild, në fakt, ish-trajneri i Borussia Dortmund, Chelsea dhe PSG po përjeton një fazë tensioni të fortë me Uli Hoeness, ish-presidentin e Bayernit dhe anëtar aktual i bordit të bavarezëve.

Në disa intervista të fundit, Hoeness e ka gjykuar shkarkimin e Nagelsmann si “të nxituar”, duke u distancuar nga vendimi i marrë nga anëtarët e bordit të klubit dhe më pas ka kritikuar këndvështrimin e Tuchel për organikën e Bayernit.

“Çdo fundjavë kemi në stol ndërkombëtarë nga vende të ndryshme, nuk shoh se si mund të flasim për një skuadër pa shumë alternativa”, ka thënë Hoeness, i cili kishte qenë edhe ndër mbështetësit kryesorë të Tuchel në javët e para pas zyrtarizimit të tij.

Duke hyrë në specifikat e çështjeve të merkatos, Tuchel është gati të përsërisë nevojën për të blerë një mesfushor qendre në janar.

Lojtari i zgjedhur prej disa kohësh është portugezi Joao Palhinha, kontrata e të cilit me Fulham do të skadojë në qershor, por Cottagers refuzuan një ofertë prej 65 milionësh në verë duke mos gjetur një zëvendësues të përshtatshëm.

Sipas asaj që raportohet nga Bild, drejtori i ri sportiv i Bayernit, Christoph Freund, ka dyshime, ashtu si anëtarët e tjerë të klubit, për gjendjen fizike të Palhinhas, për shkak të dëmtimeve të ndryshme në gju që ka pësuar.

Alternativa është Kalvin Phillips i Manchester Cityt, një objektiv  i vështirë për t’u arritur. Hoeness ishte gjithashtu i ftohtë në këtë temë:

“Ne do të bëjmë diçka në janar nëse do të ketë vërtet nevojë për të ndërhyrë, por mund të parashikoj që merkato e jonë do të jetë e qetë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat