Enrique: Milan na stimulon

Futboll

Enrique: Milan na stimulon

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 17:36
Enrique

Pas nisjes jo të mirë të kampionatit, Paris Saint-Germain do të kërkojë maksimumin këtë fundjavë përballë Strasbourg, me parizienët që në këtë përballje janë të “dënuar” për të fituar, ndërsa në mesjavë kampionët e Francës do të masin forcat ndaj Milan-it.

Në konferencën për shtyp në prag të sfidës së kampionatit, trajneri Luis Enrique foli për të kalendarin e skuadrës, ndërsa përsëri ishte shumë i tensionuar përpara gazetarëve.

“Rikthehemi pas dy javësh në kampionat dhe lojtarët kanë qenë të angazhuar me kombëtaret e tyre, por unë së bashku me stafin kemi analizuar fillimin e këtij edicioni. Kemi luajtur mirë, kemi gabuar, fituar dhe kemi humbur.

Sigurisht, ka ende vend për përmirësim dhe jo gjithçka bazohet te ato çfarë mediet shkruajnë. Ua kam bërë me dije lojtarëve që të distancohen nga këto lajme apo kritika, sepse në fund të ditës llogaritë i bëjmë së bashku. Më pëlqen të flas me gazetarët. Problemi është se unë shoh që ju jeni gjithmonë e më pak në numër në konferencat për shtyp.

Si të gjithë trajnerët, mundohem t’ju jap të njëjtën dashuri në varësi të pyetjeve. Nëse më pyet në mënyrë të mirë, unë do t’ju përgjigjem mirë.” – tha fillimisht trajneri spanjoll.

Sa i përket takimit të fundjavës, Luis Enrique thekson se e ka vlerësuar në maksimum dhe se për të, kjo është sfida më e rëndësishme e javës pavarësisht se në mesjavë do të luajë ndaj Milan-it.

“Kemi një kalendar të rëndësishëm përpara. Ndeshja me Milanin na stimulon, por për ne, ndeshja që ka më shumë rëndësi është ajo përballë Strasbourg-ut. Shpresoj që skuadra të zbresë në fushën e lojës me motivimin e duhur dhe të mos përsërisim gabimet si me Nice. Kemi përballë një kundërshtarë të motivuar për të bërë mirë dhe me një trajner të madh si Viera.” – tha Luis Enrique.

Ndërkohë, një temë e diskutuar është edhe ajo e Mbappe-s, me trajnerin që theksoi se Kylian është shumë i rëndësishëm për parizienët dhe beson se do të rikthehet te goli me PSG-ën.

“E vetmja gjë që i ka munguar Mbappe-s në ndeshjet e fundit është goli. Ai ka luajtur ndeshje shumë të mira dhe ka krijua raste shumë të rëndësishme. Një lojtar me numrat e Mbappe-s kur nuk shënon në dy apo tre ndeshje, nuk mund të themi se po luan keq.

Ai po bën shumë mirë me PSG-ën dhe me kombëtaren. Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe ai është i fokusuar për të bërë mirë me skuadrën”. – tha trajneri.

Mbappe nuk shënon në tre ndeshje radhazi në kampionat, ndërsa goli i fundit është regjistruar ndaj Nice më 15 Shtator.

PSG-Strasbourg luhet të shtunën duke nisur nga ora 17:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat