Bellingham ‘gëlltit’ startin e jashtëzakonshëm të CR7 te Real Madridi

Futboll

Bellingham ‘gëlltit’ startin e jashtëzakonshëm të CR7 te Real Madridi

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 12:20
Bellingham

Jude Bellingham e ka nisur shkëlqyeshëm eksperiencën e tij te Real Madridi. Mesfushori anglez shënon mesatarisht një gol për ndeshje: 10 ndeshje, 10 gola. Ai nuk arriti të shënonte vetëm kundër Real Sociedad dhe Atlético Madridit, por i ‘kompensoi’ ato me dopieta kundër Almería dhe Osasuna.

Në vetëm dy muaj, Bellingham është evidentuar si golashënues i “Los Blancos”. Sezoni i tij më i mirë në seksionin e finalizimeve janë 14 golat që shënoi sezonin e kaluar me Borussia Dortmund. Një “tavan” që do të bjerë shumë shpejt.

Hapat e parë të Bellingham me Real Madridin të kujtojnë ato të Cristiano Ronaldos, i cili në sezonin 2009-2010 shënoi gjithashtu 10 gola në 10 ndeshjet e tij të para me fanellën e bardhë. Shifra marramendëse për të dy, por ka një gjë shtesë që e ngjit më lart Bellingham.

Në 10 ndeshjet e tij të para si lojtar i Real Madridit, portugezi dha një asist. Ish-lojtari i Dortmundit, me tri asiste, ka marrë pjesë edhe në dy gola të tjerë. CR7 i përfundoi 9 sezonet e tij te Real Madridi si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të ekipit të bardhë.

Në 438 ndeshjet e tij si lojtar i Real Madridit, portugezi shënoi 451 gola, pothuajse 1.03 gola për ndeshje mesatarisht. Një “markë” më vete. Bellingham, për momentin, po vazhdon me mesataren 1 gol për ndeshje.

Një arritje europiane që e barazon anglezin me një tjetër legjendë të bardhë. Bellingham është bërë lojtari i tretë i “Los Blancos” që shënon në dy ndeshjet e tij të para në Champions League, siç bëri Karembeu më 1998 dhe Cristiano Ronaldo më 2009.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat