Tonali sqaron situatën në prokurori

Futboll

Tonali sqaron situatën në prokurori

Më: 21 tetor 2023 Në ora: 13:55
Tonali

Udhëzimi është i qartë: çështja e Tonalit lidhur me bastet duhet të mbyllet në kohë rekord. Siç dihet, lojtari i Njukasëllit ka pranuar në prokurori se kishte vënë baste për Milanin, duke shkelur nenin 24 të Kodit të Drejtësisë Sportive të Federatës Italiane të Futbollit.

Përpara gjykatësve, ai e shpalli veten fajtor dhe tani është në pritje të gjykimit. Ankthi për vetë futbollistin është shumë i madh, pasi për momentin ai mund të vazhdojë të shkelë fushën e lojës derisa t’i vijë verdikti ligjor dhe nga Njukasëlli e ka marrë jo vetëm këtë siguri, por edhe faktin se sado që të jetë pezullimi i tij, klubi do ta presë.

Ndërsa UEFA bën presion ndaj Federatës Italiane që të zgjidhë sa më shpejt çështjen, disa zëra nënvizojnë se të hënën, 23 tetor, do të jetë një ditë kyçe, duke qenë se Tonali do të takohet me prokurorët e çështjes, ku kryesori Xhuzepe Çine kërkon që të mësojë diçka më shumë dhe pavarësisht se shtyhet për shpejtësi, vështirë se ky i fundit do ta bëjë këtë, duke menduar për rëndësinë e kësaj sëmundjeje, e cila po rezulton se është shumë e përhapur.

Dhe mbi të gjitha, Xhuzepe Çine do të bëjë kërkesë që Tonali, edhe pse i dënuar në Itali, duhet të vuajë edhe në Angli dënimin, ndonëse nuk duket të ketë asnjë shans se gjithçka do të mund të mbyllet deri të mërkurën, kur Tonali mund të jetë në fushë kundër Dortmundit, në Ligën e Kampioneve.

Tonali ka dashur që të jetë i hapur dhe të qartësonte menjëherë pozicionin e tij, pavarësisht akuzave të rënda. Ai pranoi se ka vënë baste për Milanin, kur luante te kuqezinjtë, por gjithashtu edhe te Breshia, kur ishte pjesë e tyre, faktor ky që ia rëndon dënimin. Gjithashtu ai ka nënvizuar se është gati që të pranojë të informojë mbi faktet që lidhen me kompani pirate, apo me persona fizikë të implikuar, futbollistë dhe jo vetëm, për të cilët ai ka dijeni. Në të njëjtën kohë, Sandro Tonali nxori blof futbollistin e Juventusit, Nikolo Faxholin.

“Ishte Tonali që më sugjeroi kompaninë ‘Icebet’ dhe në ambientet tona nënvizohej se Sandro kishte borxhe shumë të mëdha të shpërndara”). Por kundrejt kësaj deklarate, mesfushori për të cilin Njukasëlli pagoi 80 milionë euro këtë verë, ka nënvizuar se ai nuk ka pranuar që të ndihmojë askënd, apo të përfshinte në këtë çështje shokë skuadre apo miq.

Për më tepër, pranoi se ai nuk ka asnjë problem me bastet prej bixhozit, ndonëse gjithçka pritet të sqarohet më saktësisht të hënën, kur ai të jetë sërish përpara prokurorit Çine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat