Carlo Ancelotti për Bellingham: Ai është një lojtar që bën diferencën

Futboll

Carlo Ancelotti për Bellingham: Ai është një lojtar që bën diferencën

Më: 28 tetor 2023 Në ora: 20:24
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti tha se ishte “i befasuar” nga  golat që po shënon ​ Jude Bellingham pasi mesfushori i Real Madridit shënoi dy herë në fitoren e tyre 2-1 në El Clasico kundër Barcelonës të shtunën, duke thënë se për momentin ai është lojtari që po bën diferencën.

Bellingham barazoi me një goditje nga distanca në minutën e 68-të në stadiumin “Montjuic”, pasi Ilkay Gündogan kishte kaluar Barcën në avantazh në minutën e gjashtë , përpara se të shënonte golin e fitores në kohën shtesë për ta rikthyer Real Madridin si lider në La Liga me 28 pikë.

“Ai shënoi një gol të mrekullueshëm fillimisht dhe u tregua i zgjuar në të dytin”, ka thënë Ancelotti fillimisht në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes.

“Ne jemi të befasuar. Të gjithë janë të befasuar nga niveli i tij i efikasitetit në sulm. Ai futet në zonë, por sot gjuajtja [për golin e parë] na befasoi, ai shënoi një gol të mrekullueshëm. Tani për tani ai është lojtari që po bën diferencën”, u shpreh tekniku italian.

Ylli anglez tani ka 10 gola në 10 paraqitje në ligë këtë sezon, duke kryesuar listën si golashënuesi më i mirë në elitë  dhe 13 në të gjitha garat gjithsej, pasi ka shënuar tre gola në Ligën e Kampionëve.

“Ai duket si një veteran, karakteri i tij është shumë i mirë. Barazimi ndryshoi plotësisht dinamikën, do të thoshte më shumë forcë për ne dhe më shumë dobësi për Barcelonën, e cila kishte luajtur më mirë deri në ato çaste”, vazhdoi Ancelotti.

Tutje, italiani tha se ekipi nuk duhet të mbështetet në golat e Bellingham dhe i bëri thirrje sulmuesve Vinícius Júnior, i cili ka dy gola në La Liga këtë sezon dhe Rodrygo Goes i cili ka një, të kontribuojnë më shumë.

“Bellingham mund të arrijë deri në 20-25 gola. Ai e ka nisur mirë, por ne nuk e mendojmë atë si një golashënues, ne mendojmë se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne që po shënon shumë gola tani. Ne kemi nevojë për gola edhe nga sulmuesit”, përfundoi Ancelotti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat