Eksperimentet e Piolit cilësohen si dështim i plotë

Futboll

Eksperimentet e Piolit cilësohen si dështim i plotë

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 19:06
Pioli

Ndërsa raportet e shumta sugjerojnë se Milani nuk ka ndërmend të shkarkojë Stefano Piolin, ai dhe eksperimentet e tij taktike u kritikuan në media pas humbjes nga Udinese.

Të shtunën mbrëma, “Rossonerët” pësuan humbje në shtëpi nga Udinese me rezultatin 0:1.

Performanca e Milanit u cilësua si më e keqja e sezonit, më shumë se humbja 5:1 në derbin ndaj Interit.

Mediat italiane kritikuan ashpër kuqezinjtë, trajnerin Pioli dhe taktikat e tij.

“Pioli dyfishoi sulmuesit, por përgjysmoi efikasitetin e tyre. Lojë e tmerrshme. Njëqind gabime teknike, por edhe asnjë nga idetë nuk shpërblehet. Ishte një ekip pa kohezion dhe pa shpirt”, shkroi “La Gazzetta dello Sport”.

Luka Jovic ishte titullar për herë të parë në Serie A me Milanin dhe paraqitja e tij u vlerësua si jashtëzakonisht zhgënjyese.

“Plotësisht i ndarë nga loja, siç ka ndodhur tashmë në situata të tjera. Edhe Olivier Giroud ishte jashtëzakonisht i izoluar në pjesën e parë, asnjëherë i kërkuar nga shokët e tij. Dyshja me Jovic nuk funksionon vërtetë”, vlerësoi “Corriere dello Sport”.

Nga “Tuttosport” u vlerësua se eksperimenti 4-4-2 ishte një dështim i plotë dhe nuk duhet të përsëritet, të paktën jo me këta sulmues.

Nga gazetari i “Corriere della Sera”, Daniele Dallera, u vlerësua se: “Pioli duhet të nxitojë dhe të mos lejojë që këto plagë të hapura të bëhen gangrenoze. Ai është mjeku i duhur për rolin, ai e njeh këtë sëmundje, ne jemi të bindur se është njeriu më i mirë për të gjetur diagnozën e saktë dhe për të dhënë trajtimin ideal.

Edhe nëse nuk e tregoi dje, duke parë se ndryshimet nuk sollën asgjë. Të jesh gjashtë pikë larg liderit Inter, nuk është fatkeqësi. Megjithatë, të luash kështu kundër Udineses, kjo është një fatkeqësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat