​Humbi ndjenjat në fushë, ndërron jetë ylli i Egnatias

Futboll

​Humbi ndjenjat në fushë, ndërron jetë ylli i Egnatias

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 15:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Ka ndërruar jetë Raphael Dwamena, sulmuesi i skuadrës shqiptare, Egnatia.

Bëhet e ditur se Dwamena ka ndërruar jetë në spital, pasi që 28 vjeçari ra pa ndjenja gjatë ndeshjes që po zhvillohej mes Egnatias dhe Partizanit.

Dwamena humbi ndjenjat në fushën e lojës, pas problemeve me zemër.

28-vjeçari nga Gana ishte diagnostikuar me probleme në zemër në vitin 2021 dhe mjekët e kishin këshilluar që të mos luante më futboll. Megjithatë, sezonin e kaluar, ai u bë pjesë e Egnatias, ku ishte një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar.

Ndërkohë, lojtarët e të dyja ekipeve u futën në dhomat e zhveshjeve. Referi i ndeshjes e ka konfirmuar se dueli Egnatia-Partizani nuk do të vazhdojë.

Dwamena e nisi karrierën në Europë në vitin 2014 me skuadrën e Liefering në Austri, ku qëndroi dy sezone. Më pas, ai kaloi te Lustenau, ku në 20 ndeshje realizoi 18 gola. Në 3 sezone, ai u bë pjesë e Zurich në Zvicër, ku në 51 ndeshje realizoi 21 gola. Në vitin 2018, futbollisti bëri hapin e madh duke kaluar në La Liga, pjesë e Levantes ku u aktivizua në 12 ndeshje. Më pas, kaloi te Zaragosa në Liga 2. Ndërkohë, në sezonin 2021-2022, kur ishte pjesë e skuadrës së Linz, Dwamena humbi ndjenjat në një ndeshje për shkak të problemeve në zemër. Mjekët i vendosën një aparat dhe i rekomanduan që të mos luante më futboll. Megjithatë, ai u bë pjesë e Egnatias në gjysmë të sezonit të kaluar dhe në 28 ndeshje realizoi 20 gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat