Kosova u rikthehet stërvitjeve, Berisha e Zyba: Kemi kualitet, ta tregojmë në fushë edhe ndaj Zvicrës 

Futboll

Kosova u rikthehet stërvitjeve, Berisha e Zyba: Kemi kualitet, ta tregojmë në fushë edhe ndaj Zvicrës 

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 18:40
Pamje nga stërvitja

Kombëtarja e Kosovës pas fitores së realizuar kundër Izraelit u është rikthyer stërvitjeve për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen kundër Zvicrës, që zhvillohet më 18 nëntor në Bazel.

Kombëtares në grumbullim iu kanë bashkuar edhe Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda, të cilët munguan në ndeshjen e parë, derisa në stërvitje ka munguar Vedat Muriqi, i cili është lënduar në pjesën e dytë kundër Izraelit dhe tashmë pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të kësaj fushate kualifikuese.

Atmosfera tek kampi i Dardanëve është shumë e mirë, teksa si zakonisht përkushtimi në stërvitje është maksimal.

Në seancën e sotme përzgjedhësi Gliha dhe ndihmësit e tij kanë punuar me lojtarët kryesisht në aspektin tekniko-taktik, duke ndërtuar kësisoj strategjinë e lojës për duelin me helvetikët.

Pas stërvitjes opinionin e tyre rreth paraqitjes kundër Izraelit dhe pritjeve të tyre për duelin e radhës në Bazel e dhanë Bernard Berisha dhe Qëndrim Zyba. Që të dy u shprehën optimistë se fitorja kundër Izraelit do të ndikojë që edhe në duelin e radhës të tregojnë lojë të mirë dhe të marrin rezultat pozitiv.

“Izraeli? Ishte ndeshje shumë me rëndësi për ne, duke marrë parasysh se paraqitja me Andorrën ishte shumë e mirë dhe ishte e nevojshme që të vazhdojmë këtë hap të mirë.

Kemi qenë të gjithë të motivuar për këtë fitore dhe duhet të vazhdojmë kështu, ngase kualiteti ynë është shumë i madh dhe duhet t’i shfrutëzojmë mundësitë që i kemi. Sot ka qenë stërvitja e parë pas lojës, ngase dje kemi bërë rigjenerim në hotel. Gjithçka po shkon mirë.

Duhet të vazhdojmë kështu, duhet të tregojmë disiplinë dhe të tregojmë se mundemi dhe nëse kem synime për të ardhmen duhet të jemi sa më të bashkuar.

Në Zvicër do të jetë ndeshje pak më ndryushe sepse edhe stadiumi do të jetë i mbushur me shumë shqiptarë. Për ne duhet të jetë motivi edhe më i madh dhe të tregojmë karakter dhe të jemi sa më shumë të bashkuar për t’ia arritur qëllimeve që i kemi në të ardhmen”, thotë Berisha.

“Është mirë që ne kemi fituar kundër Izraelit dhe kjo është shumë e rëndësishme, por edhe ne si futbollistë të Superligës kemi bërë paraqitje të mirë.

Shpresoj që të qëndrojmë me këmbë në tokë, të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të rritemi gradualisht.

Përballja me Zvicrën? Patjetër që ne do të japim gjithçka nga vetja sepse çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht. Padyshim se Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë, por ne mendojmë të japim maksimumin dhe pse jo të mos marrim rezultat pozitiv.

Mendoj se kemi kualitet brenda grupit dhe kemi një atmosferë fantastike, prandaj pse të mos shpresojmë në rezultat pozitiv, kur i kemi mundësitë për ta arritur një gjë të tillë”, ka thënë Zyba.

Stërvitjen e radhës Kosova e zhvillon të mërkurën në orën 11:00 në Kampin Nacional në Hajvali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat