Rabiot flet për gjithçka: Allegri është fitues

Futboll

Rabiot flet për gjithçka: Allegri është fitues

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 14:07
Rabiot

Pasi iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2019, Adrien Rabiot e ka vendosur veten si një element thelbësor për mesfushën bardhezi gjatë viteve të fundit. I konsideruar sot si një nga mesfushorët më të mirë në të gjithë skenën e futbollit botëror, francezi është një nga ata elementë nga i cili praktikisht duket e pamundur të heqësh dorë, sepse garanton sasi, cilësi dhe numër të mirë golash (8 gola të shënuar në kampionatin e kaluar).

Mesfushori francez ka folur për debutimin e tij me PSG-në, por edhe për të tashmen dhe synimet e së ardhmes. Rabiot bëri debutimin e tij në futbollin profesionist në një moshë shumë të re. Ai nuk ishte ende 18 vjeç, kur Carlo Ancelotti e mori në ekipin e parë të PSG:

“Kam kaluar shumë mirë me Ancelottin. Ai erdhi të më takonte kur isha nën 19 vjeç dhe vetë iu kërkoi trajnerëve të më linin të stërvitesha me ta. Isha 17 vjeç dhe ai më ndihmoi shumë”. Në mesin e shumë kampionëve me të cilët Rabiot pati mundësinë të luante gjatë aventurës së tij te PSG, ishte edhe shoku i tij i atëhershëm i skuadrës, Thiago Motta:

“Të gjithë lojtarët e PSG-së ishin të mirë me mua. Kam pasur një marrëdhënie të veçantë me Thiago Motta, kemi luajtur së bashku në mesfushë. Edhe atëherë imagjinonte se mund të bëhej trajner në të ardhmen, fliste shpesh për taktikat dhe kishte një vizion të lojës”.

Ishte mbi të gjitha rikthimi i Allegrit në stolin e Juventusit që përkoi me shpërthimin e vërtetë të Rabiot te Juventusi. Ai ka një ndjenjë të veçantë me trajnerin bardhezi: “E takova sezonin para se të mbërrija te Juventusi, ishte ai që më donte mua këtu. Megjithatë, kur firmosa u largua, por kur u takuam përsëri, ndjenja filloi menjëherë.

Kisha 6 muaj pa luajtur, më duhej ende të përshtatesha dhe kisha marrë shumë kritika, pastaj u rrita shumë. E njoh mentalitetin e tij, ka një qasje fituese. Kemi folur shumë gjatë sezonit, madje ai më dërgonte mesazhe edhe gjatë pushimeve. Kur zemërohet në minutat e fundit të ndeshjeve, nuk mund të mos e shohim, por ky është një aspekt tjetër pozitiv. Ai e jeton ethshëm ndeshjen”.

Kontrata që lidh Rabiot me Juventusin skadon në qershor 2024. Mesfushori transalpin nuk po bën asnjë deklaratë për të ardhmen e tij për momentin: “Do të shohim. Jam i lumtur kur mbaj shiritin e kapitenit, sidomos duke menduar për historinë e këtij klubi. Për rinovimin do të flasim më vonë”.

Pas vitesh të ndërlikuara, Juventusi tani konsiderohet sërish një skuadër që mund të luftojë për titull: “Tiulli është diçka tjetër. Allegri ka një mentalitet fitues dhe e sjell atë në çdo ndeshje, çdo ditë në stërvitje, jo vetëm me synimin për titullin. Le të shohim se çfarë do të ndodhë, por është mentaliteti, dëshira për të fituar çdo ndeshje, që e bën Allegrin një trajner të madh”.

Adrien Rabiot është prototipi i mesfushorit të kompletuar. Prandaj nuk është rastësi që Steven Gerrard ishte ndër modelet e tij në rol: “Është idhulli im. Ai ishte një lojtar i gjithanshëm, i aftë për të shënuar gol nga 30 metra, më pas për ta mbrojtur portën e tij me një sparkatë. Ishte një lojtar modern. Mes francezëve që kanë luajtur për Juventusin them Zidane, gjithashtu edhe Deschamps”.

Mesfushori i Juventusit zbuloi se cilin trofe ëndërron të vendosë në vitrinën e tij më shumë se çdo tjetër: “Duke zgjedhur mes Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës apo Europianit, unë them Ligën e Kampionëve. Është kompeticioni më i vështirë për t’u fituar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat