Kriza e Tiranës

Futboll

Kriza e Tiranës

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 18:15
Pamje nga një ndeshje

Dy periudha të ndryshme menaxhimi teknik, me lëvizjen më të mirë të mundshme sipas presidentit Refik Halili, që ka përkeqësuar shifrat e një sezoni, që nëse nuk quhet krizë, pak e ndan. Në 6 javë Orges Shehi bëri tre fitore, një barazim e dy humbje, që i kushtuan pankinën.

Me Ahmataj pastaj gjërat shkuan edhe më keq e në 8 javë janë po tre fitoret, dy barazimet e tre humbjet.

Në total, Tirana në 14 ndeshje ka grumbulluar 21 pikë, duke e parë veten -9 nga Egnatia e -10 potencial nga Partizani, nëse kryesuesit fitojnë ndeshjen e prapambetur me Teutën e vendit të fundit.

Pas numrave aktualë sigurisht që ka një sfond dhe është dëmtimesh. Bardheblutë kanë ndryshuar rregullisht formacionin edhe të diktuar nga mungesat e shumta me të cilat stafit teknik i është dashur të bëjë llogaritë. Herë Abazaj, pastaj Latifi, Lulaj, Hila, Hoxhallari, Doka, Najdovski e tani edhe Hasani kanë vuajtur dëmtimet dhe pasojat e tyre, duke mos qenë në formën e tyre më të mirë.

E pikërisht në mes të kësaj situatë delicate vjen derbi i kryeqytetit, ndeshja e aftë të ndryshojë një sezon.

Tre sezone më parë, pikërisht në 2019-20 në të njëjtat pozita të vështira e të goditur nga dëmtimet, Tirana fitoi derbin me Partizanin dhe nuk u ndal më duke u shpallur kampion. Në kampin kryeqytetas shpresojnë që historia të përsëritet, për më tepër që këtë herë pikët nuk është se kanë shumë rëndësi, për sa kohë je brenda katërshes së parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat