​KEK-u kampion vjeshtor i Ligës së Dytë, trajneri Nasufi zbulon synimet e klubit

Futboll

​KEK-u kampion vjeshtor i Ligës së Dytë, trajneri Nasufi zbulon synimet e klubit

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 12:35
Enis Nasufi

Me trembëdhjetë fitore, tri barazime e asnjë humbje, skuadra e KEK-ut është shpallur kampione vjeshtore e Ligës së Dytë të futbollit kosovar.

Skuadra nga Obiliqi është liderë e tabelës me 42 pikë, tri më shumë se Mitrovica e vendit të dytë.

Në një intervistë për KosovaPress, trajneri i KEK-ut, Enis Nasufi ka thënë për KosovaPress, se synimi i klubit është rikthimi në Ligën e Parë, edhe pse rivaliteti me ekipet tjera pretendente është mjaftë i lartë.

Nasufi: Synimi është rikthimi në Ligën e Parë

“Fillimisht objektivi i klubit ka qenë futja në Ligën e Parë, do të thotë rikthimi i klubit të KEK-ut në Ligën e Parë, kemi bërë një përzierje të futbollistëve, futbollistë me përvojë, kombinuar me futbollistë me perspektivë. Gjithë kampionati ka shkuar me dominimi e ekipit tonë në ligë, kështu që ne për momentin i kemi 13 fitore, tri barazime, gjithsejtë kemi 42 pikë dhe pretendojmë që ta mbajmë këtë pozitë në të cilën jemi...Ka rivalitet, janë disa ekipe si Prizreni, Mitrovica, ekipi i Beharit është shumë ekip cilësor, mirëpo me angazhimin futbollistëve, të kryesisë, stafit punues të klubit i kemi arritur këto suksese dhe shpresojmë t’i vazhdojmë.”, deklaroi Nasufi.

Skuadra, sipas Nasufit është në gjendje stabile financiare dhe si rrjedhojë e kësaj, për ta rritur kualitetin mund të sjellë edhe përforcime të reja në afatin kalimtar të janarit.

Nasufi: Mund të sjellim dy apo tri përforcime

“KEK-u rreth kryesisë së klubit është shumë mirë e organizuar, nuk kemi probleme me paga, pagat jepen me kohë të caktuar, kështu që për momentin është gjithçka në rregull....Gjithsesi, baza kryesore e cila është për momentin, ajo do të mbetet, mirëpo mendoj se me dy apo tri përforcime të cilat veçse i kemi etiketuar disa futbollistë, po shpresojmë që KEK-u, të jetë arrë shumë e fortë për vitin tjetër.”, theksoi Nasufi.

Nasufi thotë se ka besim edhe tek talentët e skuadrës mbi të cilët po synohet të ndërtohet e ardhja e KEK-ut, për një periudhë më të gjatë.

Nasufi: Me lojtarë të rinj po krijojmë bazë për të ardhmen e skuadrës

“Për momentin mund të them që kemi inkuadruar diku rreth shtatë futbollistë nën moshën 18 vjeçare edhe pritet shumë nga ata futbollistë. Kështu që me qëllime që këta futbollistë kanë potencial dhe shpresojmë me punë që ta arrijmë edhe rezultate të mira, por të njëjtën kohë edhe performanca e tyre në ngritët vazhdimisht dhe KEK-u nuk besoj që do të ketë telashe të Liga e Parë”, shtoi tutje Nasufi.

Një ecuri e tillë e rezultateve natyrisht se bie në syrin e klubeve të tjera, por Nasufi thotë se do t’i qëndrojë besnik KEK-ut, përkundër se ka oferta nga disa klube të Ligës së Parë.

Nasufi: Qëllimi kryesor ka qenë që të mbetem besnik te KEK-u

“Unë kam punuar shumë gjatë te klubi i KEK-ut, edhe në të kaluarën kam pasur shumë oferta nga ekipet e Ligës së Parë, mirëpo puna ime e parë është aktiviteti të cilin e bëjë në kohën e mësimit, do të thotë jam arsimtar i Edukatës Fizike në shkollën “Ibrahim Rugova”, në Obiliq dhe që ma pamundëson që të lëvizë shumë shpesh në klubet tjera edhe pse kisha oferta shumë para dy apo tri viteve, mirëpo, qëllimi kryesor ka qenë që të mbetem besnik te KEK-u dhe shpresoj që të vazhdojmë me KEK-un. Me KEK-un kam kontratë edhe gjashtë muaj dhe pastaj të shohim çfarë do të sjellë e ardhmja”, tha në fund Nasufi.

Trajneri i KEK-ut, gjithashtu u shpreh shumë i kënaqur me kushtet dhe infrastrukturën në të cilën klubi i tij zhvillon stërvitjen dhe punën e përditshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat