Mbrojtja fut në telashe Inzaghin

Futboll

Mbrojtja fut në telashe Inzaghin

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 12:49
Inzaghi e Frattesi

Mbrojtja fut në telashe Inzaghin, Frattesi provohet në një rol të ri

Mbrojtja është reparti që shqetëson jo pak trajnerin e Interit, Simone Inzaghi në prag të ndeshjes me Udinesen të shtunën, por edhe asaj ndaj Real Sociedad tri ditë më vonë, ku do të vendoset edhe për kryesimin e grupit në Champions.

Bastoni është rikthyer të stërvitet me grupin, por nuk pritet të luajë titullar ndaj Udineses.

Mbrojtësi italian nuk ka gjendjen e duhur fizike. Ndërkohë Inzaghi do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e Pavard, De Vrij e Dumfries. Të tre pritet të rikthehen vetëm në fund të muajit.

Në këto kushte, trajneri zikaltër po teston Davide Frattesin në krahun e djathtë të mesfushës, aty ku në mungesë të Dumfries, ka mbetur si alternativë vetëm kolumbiani Cuadrado, që gjithsesi nuk mund të përballojë dy sfida radhazi si titullar.

Alternativa tjetër mbetet Darmian, që me shumë gjasë ndaj Udineses do të luajë si mbrojtës i djathtë, duke qenë se i riu Bisseck nuk bind për të luajtur nga minuta e parë, ndërsa braziliani Carlos Augusto pritet te kompletojë treshen e prapavijës.

Interi do të presë Udinesen mbrëmjen e të shtunës në “San Siro” dhe tri ditë më vonë, sërish në impiantin e famshëm milanez, do të përballem me baskët e Real Sociedad.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat