Allegri: Futbolli nuk ka recetë

Futboll

Allegri: Futbolli nuk ka recetë

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 14:26
Allegri

Genoa-Juventus do të jetë ndeshja hapëse e javës së 16 të Serie A, sfidë e cila është programuar të luhet të premtën në orën 20:45. Një transfertë delikate për bardhezinjtë që edhe njëherë tjetër do të kërkojnë të fitojnë, të marrin kreun e klasifikimit e të vendosin në presion Interin që luan në Olimpico ndaj Lazios.

Në konferencën për shtyp, trajneri Massimiliano Allegri theksoi sërish se zikaltërit janë favoritët për titullin ndërsa shtoi se nuk ndjehet i lodhur dhe se mund të vazhdojë me Juventusin edhe sezonin tjetër.

“Inter mbetet favorit sepse është ndërtuar për të fituar kampionatin, edhe Zhang në darkën e Krishtlindjes theksoi se objektivi është ylli i dytë. Ne kemi një rrugëtim ndryshe nga Inter, me lojtarë të rinj dhe që po vijnë në rritje. Duhet të përmirësohemi ende dhe duhet të jemi të qetë për të menaxhuar momentet e vështira.

Djemtë janë të përgjegjshëm për atë që bëjnë në fushë, më vjen mirë edhe sepse këtu te Juventus në këtë skuadër, nuk ka një i cili të sillet si numri një. Të gjithë e dinë mirë se objektivat e skuadrës vijnë para objektivave personal. Kjo është diçka e jashtëzakonshme.

Në fillimin e kampionatit askush nuk do ta kishte menduar se Juventus do të ishte i dyti. Mungojnë edhe katër ndeshja para se të mbyllet faza e parë dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Objektivi mbetet kualifikimi në Champions League.

E ardhmja? Më vjen mirë që Carlo Ancelotti më vendosi së bashku me Mourinhon, është nder për mua. Mournho kritikohet, por është i katërti mes shumë vështirësive ndërsa Ancelotti është trajneri më fitues në botë. Ka shumë trajnerë të rinj dhe të vjetrit duhen zëvendësuar, por ne bëjmë punën tonë, pavarësisht si e interpretojmë atë.

Eksperienca të përmirëson, pasi futbolli nuk ka një recetë fikse për të fituar. Nuk ndihem ende i lodhur dhe nuk më pëlqen që të bëj drejtuesin. Unë mendoj vetëm për objektivin që është kualifikimi në Champions, aty ku duhet të luanim edhe këtë sezon”, u shpreh Allegri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat