Trajneri i Madridit me më shumë fitore

Futboll

Trajneri i Madridit me më shumë fitore

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 11:48
Ançeloti

“Unë nuk jam një legjendë, thjesht një trajner. Legjendë janë lojtarët”, deklaronte Ançeloti para ndeshjes së Realit kundër Unionit të Berlinit.

Megjithatë, statistikat dhe puna e tij e mirë me kalimin e kohës kanë këmbëngulur për të shkuar kundër deklaratave të vetë trajnerit italian, i cili tashmë është çimentuar si një mit i bankinave.

Me fitoren kundër ekipit gjerman, tekniku italian u bë trajneri i Madridit me më shumë fitore në Ligën e Kampioneve, me një total prej 42 suksesesh në 56 takime.

Ai ka lënë pas një legjendë tjetër të klubit si Migel Munjoz (41) dhe Visente del Boske (34). Po kështu, trajneri nga Rexhiolo është trajneri me më shumë fitore në kompeticion dhe i vetmi trajner që ka arritur ta fitojë atë katër herë. Reali e mori nga Evertoni, duke i dhënë mundësinë të jetonte një rini të dytë në stol.

Një mundësi që ai po e shfrytëzon në mënyrë të përsosur. Në këtë sezon, Reali i tij e ka mbyllur fazën në grupe me pikë të plota (18), për herë të tretë në histori. Ndërkohë, në La Liga, Reali është i dyti pas Gironës kryesuese. Dhe atij i është dashur të kapërcejë jo pak mungesa.

DËMTIMET – Duke filluar me dëmtimet e shumta që kanë prekur skuadrën. Në sezonin aktual, Reali ka pasur një seri problemesh për shkak të dëmtimeve fizike. Disa me kohëzgjatje të gjatë, si Kurtua, dhe Militao. Një total prej 12 lojtarësh janë dëmtuar. Megjithatë, Ançeloti ka mundur të plotësojë në mënyrë perfekte pjesët e enigmës në mënyrë që këto mungesa të viheshin re sa më pak.

BELLINGAMI – Karlo Ançeloti vendosi formacionin 4-4-2 me një mesfushë në formë diamanti si skemën kryesore për këtë sezon. Një vizatim që e ka lejuar atë të nxjerrë në pah më të mirën nga Bellingam si një lojtar i gjithanshëm dhe golashënues. Jo vetëm kaq, por me mungesat e Tçuameni dhe Kamavinga, ai ka mundur të përshtat sistemin, duke kaluar në një mesfushë me dy qendra të dominuar nga Kros dhe Valverde.

E ARDHMJA – Pavarësisht kësaj, e ardhmja e italianit mbetet në ajër. Kontrata e tij përfundon në qershor të vitit 2024, teksa ka disa zëra që e vendosin atë në stolin e skuadrës braziliane. Megjithatë, ai ka deklaruar qartë se do të presë Realin deri në momentin e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat