Guardiola: Tani gjumë!

Futboll

Guardiola: Tani gjumë!

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 16:17
Guardiola

Mançester Siti u kualifikua pa probleme në finalen historike të Kupës së Botës për Klube pasi mundi japonezët e Uravës, duke lënë takim me kampionët e Amerikës së Jugut, Fluminensen, të premten ora 19:00. Kampionët e Europës të Pep Guardiolës dominuan ndeshjen në stadiumin e Xhedas, “King Abdullah Sports City” dhe u kthyen në pushim në avantazh, kur mbrojtësi Marius Hoibraten devijoi krosimin e Mateus Nunjeshit në rrjetën e tij në shtesën e pjesës së parë.

Deri atëherë, klubi japonez kishte bërë një rezistencë të mirë, duke i lejuar “qytetarëve” vetëm pak raste të mira shënimi. Megjithatë, pjesa e dytë ishte një histori e ndryshme, me Mateo Kovaçiçin që shënoi menjëherë golin e dytë, duke vrapuar drejt një hapësire pafund në mbrojtjen e miqve nisur pas pasimit të Kajl Uokerit dhe mposhti portierin Shusaku Nishikaua. Bernardo Silva shënoi edhe golin e tretë pa u mbushur një orë lojë, duke gjetur cepin e djathtë të portës pas një goditje të bllokuar të bashkëatdhetarit të tij Nunjesh nga portieri Nishikaua.

GUARDIOLA – Pep Guardiola ka fituar çdo trofe të Kupës së Botës për Klube në të cilin ka marrë pjesë, në 2009 dhe 2011 me Barcelonën dhe në 2013 me Bajernin e Mynihut. Nëse Siti triumfon të premten, atëherë dy prej përfaqësuesve të kësaj skuadre do të shkruanin historinë. Guardiola do të bëhej trajneri i parë që e fiton turneun për herë të katërt, duke kaluar Karlo Ançelotin (3). Ndërsa Mateo Kovaçiç do të bëhej futbollisti i parë që e fiton Botërorin e Klubeve me tri skuadra të ndryshme, pasi triumfoi në 2016 dhe 2017 me fanellën e Realit të Madridit dhe në 2021 me Çelsin.

Kjo do të jetë gjithashtu hera e pestë që një klub anglez dhe një brazilian do të përballen në finale, ndërsa statistikat flasin për një ekuilibër: në 2021 ÇelsiPalmeiras 2-1, në 2019 LiverpulFlamengo 1-0, në 2012 Korinthians-Çelsi 1-0 dhe në 2005 Sao Paulo-Liverpul 1-0. “Plani është të flemë, flemë dhe flemë. Ky është plani ynë. Kushtet e fushës nuk ishin shumë të mira, të jem i sinqertë.

Ne e dimë se si funksionon biznesi.

Tani duhet të pushojmë. Fluminense kishte një ditë ekstra pushimi. Do të bëjmë një ditë pushim, hamë darkën së bashku dhe krijojmë një ambient që lojtarët ta dinë se sa e rëndësishme është për klubin që të jetë në këtë finale dhe ti duhet të bësh gjëra të pabesueshme për të fituar Champions-in. Ky shans mund të vijë vetëm një herë në jetë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat