Tirana ka nevojë për Xhulio Skukën, Partizani për Redon Xhixhën

Futboll

Tirana ka nevojë për Xhulio Skukën, Partizani për Redon Xhixhën

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 12:29
Redon Xhixha dhe Xhuliano Skuka

Tirana e Partizani përbëjnë gjithnjë lajm sidomos kur vjen merkato. Dy klubet me buxhetin më të madh në Shqipëri çdo sesion përgatiten për të forcuar skuadrat me lojtarë të nivelit të lartë për Superioren. Së fundmi, në skenë kanë dalë dy rikthime të bujshme: Redon Xhixha dhe Xhuliano Skuka.

I pari nuk është i kënaqur me aventurën e tij në Azerbajxhan te Qarabag dhe drejtuesit e Tiranës kërkojnë të përfitojnë nga ky rast. Dëshira e bardhebluve është huazimi deri në fund të sezonit për ish-Topin e Artë të Superiores. Në kampin kundërshtar, vlen e njëjta për Partizani – Skuka.

Të dy janë lojtarë që çdokush i dëshiron dhe pa asnjë dyshim do të rrisin cilësinë e dy skuadrave nëse ‘ëndrrat’ realizohen. Mirëpo, nëse vëzhgojmë problematikat dhe boshllëqet që kanë dy skuadrat, këto dy lëvizje do të plotësonin një ‘puzzle’ perfekt nëse do Xhixha bëhej i kuq dhe Skuka bardheblu.

Tirana vuan për një bomber ‘9-sh’ dhe Kaina Nunes nuk ka bindur deri tani e pritet largimi në janar, ndërsa nga krahët Hasani bënte ligjin dhe Abazaj e Latifi do të vazhdojnë të jenë bardheblu. Që prej largimit të Michael Ngoo, Tirana nuk ka patur kurrë një ‘pykë’ dhe është dashur disa herë spostimi i Xhixhës, Seferit, Totres e Hotit për të shfaqur rrezik në zonë apo edhe Ardit Hilës në vitin e fundit. Për bomber, kush më mirë se Xhuliano Skuka do të vishte fanellën me numër ‘9’?

Te Partizani, siç është deklaruar nga vetë Abilaliaj, është problem produktiviteti i sulmuesve të krahut. Tedi Cara u duk i pandalshën në kupat e Europës, por këtë sezon ka kontribuar në vetëm 4 gola: 2 të shënuara dhe 2 të asistuara. Taipi i cili luan si sulmues i djathtë, nuk është as sulmues por pozitën natyrale e ka trekuartist. Një si Redon Xhixha sigurisht do të mbyllte këtë problem, sidomos me ardhjen e Orges Shehit i cili e njeh në ‘pëllëmbë të dorës’ ish-lojtarin e Tiranës.

Xhixha e Skuka janë ‘benjaminët’ e dy tifozërive dhe një rrokadë e tillë do të sillte shumë reagime, por futbolli shqiptar ka treguar me fakte se kalimi nga njëri kamp në tjetrin nuk është aspak çudi, i fundit vetë Orges Shehi mëngjesin e sotëm. Një version i tillë, sigurisht duket thuajse i pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat