Skuka gati të rikthehet

Futboll

Skuka gati të rikthehet

Më: 2 janar 2024 Në ora: 11:21
Skuka

Xhuljano Skuka është një nga ata lojtarë që te Partizani kanë bërë histori. Jo vetëm me performanca të rëndësishme e shumë gola të shënuar, por edhe sepse ai është transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit.

Vetëm se 25-vjeçari që firmosi me Metz, në janarin e vitit që sapo lamë pas, për 1.4 milionë euro nuk po gjen hapësira në klubin francez. Edhe huazimi në kampionatin slloven me Maribor nuk shkoi si duhet me vetëm 13 performanca të shënjuara me vetëm një gol e një asist e tani Skuka kërkon minuta, sepse u bë pothuaj një vit që nuk luan me vazhdimësi.

Në shtëpi në Dibër për festat e fundvitit, sulmuesi do ti bashkohet Metz në datën 3 janar, por për RTSH Sport ka konfirmuar vullnetin e tij për një huazim të mundshëm te Partizani, qoftë edhe për 6 muaj. Një hapje e rëndësishme e një sulmuesi që kërkon të rifitojë formën sportive për tu rikthyer ai që bindi Metz të bënte investimin e fortë.

Partizani nga ana tjetër ka mohuar qetësisht të gjitha aludimet mediatike për rikthimin e sulmuesit, por fakt është që një goleador Orges Shehit i duhet, me të gjithë sulmuesit që nuk kanë kaluar dot në dopio shifra. Ashtu si edhe disponibiliteti i Skukës për tu riveshur i kuq.

E zakonisht, kur të dy këto kritere ekzistojnë, operacioni përfundon me sukses. Kështu që këto ditë të para të janarit do të jenë vendimtare..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat