Inzaghi: Interi im shumë ambicioz

Futboll

Inzaghi: Interi im shumë ambicioz

Më: 13 janar 2024 Në ora: 12:33
Interi 

Interi e nis fazën e dytë në Monza, atje ku do të tentojë tri pikët për të ruajtur kryesimin e Serie A.

Zikaltrit përballen të shtunën në mbrëmje (20:45) kundër ekipit të Palladinos.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të denjë, që ka një trajner të shkëlqyer. Do të kemi përballë edhe lojtarë që kanë qenë të rëndësishëm këtu.

Do të jetë kënaqësi të takohemi përsëri me D’Ambrosion, Gagliardinin dhe Carbonin”, thekson trajneri Simone Inzaghi, i cili konfirmon gatishmërinë e Buchanan për këtë takim.

“Ai ka mbërritur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Buchanan është një djalë i ri, ai ka cilësi fantastike dhe goxha eksperiencë. Është e qartë se ka nevojë për kohë për t’u përshtatur, por ka bërë deri tani tri seanca të rëndësishme stërvitore.

Faza e parë? Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer, skuadra është ambicioze dhe duam të konfirmohemi edhe në fazën e dytë. Edhe pse e dimë që nuk do të jetë aspak e thjeshtë”.

Në fund një koment për taktikën dhe mundësinë e luajtjes me tre sulmues, siç ndodhi në minutat e fundit përballë Hellas Veronës.

“Modulin me tre sulmues në të njëjtën kohë në fushë, zakonisht e përdor në situata si ajo ndaj Veronës. Por, mund të jetë një zgjidhje për ne në të ardhmen”, theksoi trajneri i ekipit që kryeson Serie A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat