Roma - Mourinho, zbulohet debati i fortë

Futboll

Roma - Mourinho, zbulohet debati i fortë

Më: 17 janar 2024 Në ora: 12:32
Jose Mourinho

Historia mes Jose Mourinhos dhe Romës ka përfunduar. Fundi i bashkëpunimit duket se ka ndodhur në mënyrën më të keqe të mundshme.

Sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”, ish-trajneri verdhekuq është thirrur në Trigoria nga presidenti Dan Friedkin të martën në mëngjes për t’u informuar mbi shkarkimin e tij.

Pasi ka marrë vesh lajmin në befasi, portugezi është zemëruar, duke shkaktuar një konfrontim të ashpër me pronarin e klubit dhe djalin e tij, Ryan. Një argument i vërtetë me sa duket, në të cilin “Special One” do të kishte marrë kritika për drejtimin e ekipit dhe rezultatet e dobëta nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër qortonte troç pronarët për premtimet e shumta që nuk i kishin mbajtur gjatë gjithë mandatit të tij.

Një përballje e stuhishme, e cila më pas çoi në deklaratën e shkurtër të klubit, që i dha fund marrëdhënies me portugezin. Pas njoftimit të shkarkimit, Mourinho i dha shkurt lamtumirën skuadrës dhe më pas u largua me nxitim nga Trigoria, me hidhërim të madh.

Hidhërim më shumë për mënyrat e shkarkimit sesa për substancën.

Për më tepër, prej disa kohësh besimi i pronarëve të klubit ndaj “Special One” ishte minuar thellë. Aq sa Dan dhe Ryan Friedkin nuk e kishin menduar ndonjëherë seriozisht rinovimin e kontratës së portugezit, që skadonte në verë.

Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesit verdhekuq kishin filluar të shikonin përreth pas disfatës 4-1 ndaj Genoa, duke testuar ujërat për Thiago Motta dhe Xabi Alonso, por duke e shtyrë shkarkimin vetëm falë ndërhyrjes së Tiago Pinto.

Prapaskena që tregojnë detajet e një marrëdhënieje të tensionuar, e destinuar të marrë fund.

Mesa duket edhe me tone dhe sjellje jo tamam elegante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat