Shpendi “thërret”, Sasuolo, Samp dhe Piza “përgjigjen”

Futboll

Shpendi “thërret”, Sasuolo, Samp dhe Piza “përgjigjen”

Më: 21 janar 2024 Në ora: 20:29
Shpendi

Tri gola në shtatë minuta janë një “kartëvizitë” ideale për një sulmues emergjent siç është Kristian Shpendi. Bomberi i Çezenës për momentin udhëheq klasifikimin e golashënuesve të Serie C me 13 gola në 18 ndeshje.

Paraqitjet e tij në fushë në këtë muaj merkatoje ka bërë që shumë skuadra të interesohen për djaloshin e lindur në Ankona nga një familje shqiptare 20 vite më parë.

Sipas medieve italiane në gjurmët e Kristian Shpendit janë plot tri skuadra. Në Serie B Sampdoria dhe Piza kanë shfaqur interes për shërbimet e të riut. Dorianët sapo kanë firmosur me një lojtar sulmues si Agustin Alvarezin, por mbeten të interesuar edhe për Shpendin pasi janë në kërkim të një sulmues zone.

Po në Serie B është edhe Piza e interesuar për Kristian Shpendin. Ekipi në fjalë ka marrë informacion edhe për Ciço Kaputon ndërsa sapo ka përforcuar repartin ofensiv duke firmosur me Nikolas Bonfantin.

Sa i përket klubeve të Serie A në garë për Kristian Shpendin është edhe Sasuolo. Klubi në fjalë njihet për interesin që ka karshi lojtarëve të rinj dhe të talentuar, të cilët nëse arrijnë që të bëjnë hapin e madh kanë të ardhme të sigurt në futbollin e rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat