‘Kristjan Asllani, dil nga “inkubatori”!’ Mesfushori i Kombëtares kuqezi ka shansin të tregojë veten ndaj Fiorentinës

Futboll

‘Kristjan Asllani, dil nga “inkubatori”!’ Mesfushori i Kombëtares kuqezi ka shansin të tregojë veten ndaj Fiorentinës

Më: 26 janar 2024 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Hakan Çalhanoglu deri më sot nuk ka munguar në asnjë ndeshje të Serisë A gjatë këtij sezoni duke qenë gjithmonë titullar dhe kjo shpjegon rrjedhimisht edhe pse Kristjan Asllani nuk e ka nisur asnjëherë nga minuta e parë në kampionat.

Trashëgimia e turkut është e rëndë, por mundësia është e artë: këto janë dy anët e skualifikimit për kartonët e verdhë të Çalhas, barrë dhe nder i një 21- vjeçari që një vit e gjysmë pas kapërcimit të madh nga Empolli në Milano, është thirrur të tregojë cilësitë e tij (nuk janë vendosur asnjëherë në dyshim), atëherë kur topi peshon vërtet.

 RRITJA – Krahasuar me vitin e tij të parë të “praktikës” me zikaltrit, statusi i Asllanit sigurisht ka ndryshuar. Në sezonin e parë, përtej eksperiencës që duhej fituar, pagoi edhe zhvendosjen e Çalhanoglusë në regji si një alternativë e Brozoviçit. Kristjani , që ishte parashikuar të ishte alternativa e parë e kroatit, përfundoi duke qenë zëvendësi i zëvendësit dhe pas dy kampionëve të tillë, gjetja e hapësirës ishte në kufijtë e së pamundurës.

Këtë vit skenari ka ndryshuar me largimin e kroatit te Al-Nasri i Arabisë Saudite dhe Simone Inzagi po e fut shqiptarin shumë më shpesh në fushë, gjithmonë nga pankina. Si kundërpërgjigje, Asllani u rikthye për të treguar cilësitë për të cilat u transferua nga Empoli në verën e 2022-shit: personaliteti, vizioni i lojës, këmbët e rafinuara. Megjithatë, ajo që tani i duhet Interit është që “baby-regjisori” të dalë nga inkubatori.

SFIDA – Në moshën 21- vjeçare, Asllani ka mjaft kohë për t’u vendosur në Itali dhe për të mësuar sekretet e një roli më delikat se të tjerët, por tani Inzagi ka nevojë për një shtysë nga regjisori i tij i ri. Të menaxhosh topin në 20 minutat e fundit të ndeshjes është një gjë, ta bësh që në fillim të një ndeshjeje delikate është një gjë tjetër. Në sezonin aktual Kristjani nuk ka startuar asnjëherë në kampionat, por ka pasur tri mundësi në Ligën e Kampioneve dhe në Kupën e Italisë.

Në rastin e parë ai u vu në dispozicion pas tërheqjes së Çalhanoglusë, në debutimin sezonal në Ligën e Kampioneve ndaj Real Sociedadit, ndërsa në dy ndeshjet e tjera trajneri kishte bërë një rotacion masiv, në shtëpi me Benfikën dhe në “Giuseppe Meazza” kundër Bolonjës. Përtej faktit që Interi nuk fitoi asnjë nga tri ndeshjet (sigurisht jo për shkak të ndonjë mangësie nga ana e tij), fakti që bie në sy është se paraqitja e tij nuk ka qenë e mjaftueshme në asnjërin prej rasteve, diçka që në Firence nuk mund të tolerohet duke pasur parasysh momentin e kampionatit. Ndeshja me Juven vjen pas dhe bardhezinjtë me një ndeshje më shumë, mbajnë aktualisht kreun.

NUMRAT – Krahasuar me sezonin e kaluar, statistikat nënvizojnë se si saktësia ekstreme e trajtimit të topit të tij (mbi 90% saktësi në pasime) nuk ka ndryshuar, por në të njëjtën kohë kanë rënë numrat për duelet dhe goditjet. Fiorentina me siguri nuk do të kursejë vrimat në mesfushë dhe një nga faktorët e parë do të jetë imitimi i Çalhanoglusë edhe në rrëshqitje, kur nuk është në zotërim të topit dhe në betejat në zona vendimtare të fushës. Pa presion të tepruar, nuk është sekret që për Asllanin ka pritshmëri për një performancë të një niveli superior ndaj tri të tjerave, me më pak topa të humbur dhe me disa prekje më të guximshme në fazën e vendosjes. Në të djathtën e tij nuk do të jetë Nikolo Barela, por Davide Fratezi me të cilin ndau 313 nga 448 minutat që ka pasur në dispozicion këtë sezon. Nga dyshja e mesfushorëve do të varet edhe fati i ndeshjes së fundit para ndeshjes së madhe të së dielës së 4 shkurtit: do të luhet shumë në Firence, si individë dhe si ekip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat