Braziliani i bashkohet anglezëve në verë

Futboll

Braziliani i bashkohet anglezëve në verë

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 11:01
Savio

Manchester City shton radhët në repartin ofensiv teksa në verë, organikës së trajnerit Pep Guardiola do t’i bashkohet edhe Savio.

Braziliani që këtë sezon po shkëlqen me Gironën në LaLiga (i huazuar nga Troyes), pret vetëm nënshkrimin e dokumentave në ditët e ardhshme për t’u konsideruar me të drejta të plota një lojtar i “The Citizens”.

20-vjeçari kishte oferta nga klube gjermane dhe angleze, ndërsa konsiderohej si një “pikë e dobët” për drejtorin e Barcelonës, Deco. Në fund, City i parapriu konkurrencës duke transferuar një lojtar me pritshmëri shumë të larta. Anglezët përfituan edhe nga fakti se futbollisti është pjesë e City Football Group duke pasur në këtë formë përparësinë për të nënshkruar me sulmuesin.

Vetë Savio prej kohësh kishte shprehur dëshirën për të luajtur nën urdhrat e Pep Guardiolës, ëndërr që do t’i realizohet prej sezonit të ardhshëm. Aktualisht në LaLiga, braziliani numëron 23 ndeshje në elitën spanjolle teksa ia ka dalë të shënojë pesë gola si dhe të dhurojë shtatë asistë.

Savio mbërriti në Europë nga Atletico Mineiro pas firmës me City Football Group duke u akomoduar fillimisht te francezët e Troyes, për të kaluar më pas në huazim te holandezët e PSV e në fund te Girona.

Por, nga sezoni i ardhshëm do të ketë në këmbë shansin e artë për të treguar vlerat në kampionatin më të fortë të Europës, Premier League, si dhe në një prej skuadrave më të forta në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat