Një francez për sulmin e Egnatias

Futboll

Një francez për sulmin e Egnatias

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 12:48
Youba Drame

Egnatia vijon të jetë kryefjalë në futbollin shqiptar edhe përtej rezultateve sportive.

Klubi rrogozhinas pavarësisht se merkatoja e janarit është mbyllur zyrtarisht, vijon të punojë për të përforcuar ekipin me elementë, të cilët vijnë nga kampionatet europiane.

Drejtuesit bardhëjeshil kanë arritur akordin me sulmuesin francez Youba Drame.

26-vjeçari aktualisht është një lojtar i lirë, pasi ka ndërprerë kontratën me klubin e Zlinit në kampionat çek të futbollit.

Drame është një sulmues që luan në krahun e majtë dhe vjen tek Egnatia për të zëvendësuar vendin e lënë vakant nga Vusal Isgandarli. Ndonëse francezi nuk ka luajtur rregullisht me ekipin e Zlinit, rrogozhinasit besojnë se Drame ka cilësi të mjaftueshme për të bërë mirë në futbollin shqiptar.

Shpejtësia e anësorit të majtë ka bindur drejtuesit e Egnatias për ta bërë pjesë të klubit 26-vjeçarin, i cili pret dokumentacionin për të mbërritur në vendin tonë. Pavarësisht se vlera e lojtarit në tregun e transferimit është 230 mijë euro, lojtari që pritet të firmosë tek fituesit e Kupës së Shqipërisë i ka kushtuar arkave të klubit 0 lekë. Kjo për shkak se lojtari është pa kontratë, çka mundësoi edhe transferimin e tij në radhët e klubit 90-vjeçar. Youba Drame është produkt i ekipit të Usti nad Labem dhe në karrierën e tij ka shënuar vetëm 22 gola. Referuar “CV”- së së tij dhe shifrave,

Drame nuk është një futbollist që të garanton pritshmëri edhe pse drejtuesit e Egnatias kanë treguar shpesh herë që kanë goditur me lojtarët e ofruar në merkato për tri vite me radhë.

DRAME GARANTON MODULIN 4-3-3 Trajneri Edlir Tetova ka dëshmuar se është simpatizant i modulit 4-3-3, një rreshtim që sipas tij i jep Egnatias ekuilibër dhe stabilitet në rezultate. Shifrat dhe ecuria e deritanishme i ka dhënë të drejtë teknikut durrsak mjafton të hedhim sytë nga tabela e klasifikimit. Megjithatë, largimi i Vusal Isgandarlit në merkaton e janarit natyrisht la boshllëk në krahun e majtë të sulmit. Futbollisti azer pati shënuar 6 gola dhe dhuruar 2 asiste për shokët e skuadrës, duke rezultuar golashënuesi i rrogozhinasve.

I gjendur në këto kushte Tetova ndryshoi modulin e të luajturit në këtë vit të ri kalendarik duke aplikuar formacionin 3-5-2. Edhe pse ky rreshtim prodhoi ecuri pozitive ku në 4 takime Egnatia grumbulloi 10 pikë dhe siguroi ndër të tjera edhe kualifikimin në 1/8 e Kupës së Shqipërisë, trajneri Tetova ka menduar se shërbimet e Drames i garantojnë skuadrës modulin e tij të preferuar 4-3-3. Jo vetëm kaq, por duke qenë se skuadra fokusin do ta ketë maksimal në të dy frontet, kampionat dhe Kupë, pasja e elementëve në repartin ofensiv shndërrohet në domosdoshmëri. Drame pritet të mbërrijë gjatë fundjavës në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat