Skënderbeu dhe Tirana hedhin hapin e parë

Futboll

Skënderbeu dhe Tirana hedhin hapin e parë

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 23:28
Pamje nga një ndeshje

Veprimtaria e dytë e volejbollit të femrave në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën dy takimet e para të gjysmëfinaleve, duke përvijuar edhe dy skuadrat që do të përballen me njëra-tjetrën në finale për trofeun e madh.

Dhe këto dy skuadra me shumë gjasa do të jenë Tirana dhe Skënderbeu, teksa dy rivalet mposhtën në takimet e para të gjysmëfinaleve përkatësisht Pogradecin dhe Partizanin.

Në ndeshjen e luajtur më herët të mërkurën, Tirana e ka mbyllur gjithçka në 3 sete ndaj liqenoreve, teksa e ka fituar setin e parë dhe atë të 3-të me të njëjtat shifra, 25-16, ndërsa atë të dytin 25-21.

Ndërkaq, më vonë, në takimin e luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe pamje të së cilës na sjell kjo kronikë, janë dashur të luhen 5 sete për të përcaktuar fituesen midis Partizanit dhe Skënderbeut.

Është skuadra kryeqytetase që e fiton setin e parë me shifrat 25-23, por korçaret e trajnerit Orlando Koja kundërpërgjigjen, duke e fituar setin e dytë 25-22 dhe atë të 3-tin 25-23 dhe duke përmbysur kështu gjendjen e seteve në favor të tyre.

Sidoqoftë, Partizani i trajneres Amarilda Prenga kundërpërgjigjet dhe e fiton setin e 4-t 25-21, duke e çuar kështu gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit.

Aty ku janë korçaret që mbizotërojnë, duke e fituar atë 15-8 dhe gjithë ndeshjen 3-2 me sete e duke hedhur kështu një hap drejt vendit në finalen e madhe për trofeun e Kupës.

Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve luhen pas një jave dhe Tirana pret në kryeqytet Pogradecin, ndërsa Partizani është mysafir në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat