Marotta, sekreti i suksesit tek Interi është asi i Juventusit

Futboll

Marotta, sekreti i suksesit tek Interi është asi i Juventusit

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 15:31
Beppe Marotta

Cilat janë sekretet për të fituar? Përgjigjet Beppe Marotta, i cili pas viteve të suksesshme tek Juventus, arriti të rikthejë mentalitetin fitues edhe tek Inter-i.

Titulli numër 20 për zikaltrit duket se është gjithnjë e më afër me skuadrën e Simone Inzaghit që kryeson renditjen e Serie A me një avantazh të mirë ndaj ndjekësve.

Një sezon i shkëlqyer për Interin, që nga 24 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në kampionat ka arritur të fitojë 20, duke regjistruar vetëm 3 barazime dhe 1 humbje.

Mbrapa kësaj ecurie të zikaltërve, që gjithashtu duan të ecin larg edhe në Champions League, qëndron Marotta i cili ka zbuluar një nga sekretet e suksesit.

“Një drejtues i mirë i ofron ekipit të tij më të mirën. Kur erdha tek Inter-i, solla dietologun më të mirë nga Juventusi. Aftësia paguhet, por këto janë investime, jo kosto”, ka shpjeguar 66-vjeçari nga Varese gjatë një fjalimi të mbajtur në Universitetin Luiss të Romës.

Po, sepse vetëm aftësitë e Cahlanoglu dhe golat e Lautaro nuk mjaftojnë, për të ndërtuar një klub fitues duhet të shkëlqesh në çdo detaj. Dhe kështu Marotta në fjalën e tij iu referua një personi të rëndësishëm: Matteo Pincella.

Pasi iu bashkua Juventusit në vitin 2012 si përgjegjës për strategjitë ushqyese që synojnë performancën e lartë sportive, që nga viti 2016 ai ka punuar edhe për ekipin kombëtar.

Lëvizja e tij tek Inter-i në vitin 2019, ku gjeti Marottan dhe Conten me të cilët ndau sukseset e Juventusit, shënoi një qasje të re nga klubi milanez nga pikëpamja e ushqimit të lojtarëve, duke qenë se deri atëherë klubi mbështetej vetëm te një konsulent i jashtëm.

I lindur në Mantua në vitin 1979, Pincella vjen nga ragbi, por ka punuar edhe në sektorët e basketbollit dhe volejbollit; roli i tij në prapaskenë, por dukshëm vendimtar duke pasur parasysh mënyrën se si Marotta flet për të, është thelbësor në udhëtimin e ekipit të Simone Inzaghit drejt titullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat