Është një tjetër De Ketelaere

Futboll

Është një tjetër De Ketelaere

Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 13:10
De Ketelaere

Tani është një ritual, që rinovohet herë pas here. Milani kryqëzon rrugët me Atalantën dhe tifozët kuqezinj përjetojnë makthin fatal (dhe të pangushëllueshëm) prej orakulli: “Të gjithë gati për golin e De Ketelaere”. Duket si një lloj afishimi i drejtësisë hyjnore dhe sportive në kontekstin e një historie që gjithmonë e ka ndarë drastikisht popullin milanist, po e ndan edhe tani.

CDK është një lojtar tjetër, sepse Gasperini e bëri atë të luajë ndryshe. Nëse Pioli mendonte se kishte nevojën ta aktivizonte vetëm treçerek ore në ndeshje, në Bergamo belgu luan rregullisht në 3-4-1-2 (është një nga dy skajet, mësoi të jetonte edhe me Scamacca), në 3-4-2-1 (pak prapa qendërsulmuesit) dhe në 3-4-3 (anësor krahu ose mesfushor qendre).

Rezultati? Deri më tani belgu ka marrë pjesë në 17 gola tek Atalanta: 10 gola dhe 7 asiste, të gjitha të përhapura në mënyrë “demokratike” në Serie A, “Europa League” dhe “Coppa Italia”. Të krahasosh De Ketelaere e një viti më parë me aktualin është dukshëm ushtrim i pamëshirshëm: 10 gola dhe 7 asiste më 2023-2024 karshi 1 goli dhe asnjë asisti në këtë pikë të sezonit, një vit më parë.

Dhe, përtej makro-numrave, ka edhe disa të dhëna mesatare për ndeshje që ilustrojnë mirë dallimet mes dy sezoneve të belgut në Serie A: 0.57 goditje në portë për ndeshje te Milani u bënë 1.31 tek Atalanta; shanset e krijuara shkuan nga 1.39 në 2.57, prekjet në zonë nga 4.66 në 6.93, driblimet e tentuara nga 3.35 në 3.88. E përkthyer: më shumë rrezik, më afër portës, më shumë vetëbesim.

Sonte mes Milanit dhe Atalantës do të zhvillohet përballja e tretë e sezonit dhe tifozët kuqezinj tashmë po e përjetojnë sërish makthin: “Gjithçka gati për golin e De Ketelaere”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat