Kosova pëson humbje nga Skocia

Futboll

Kosova pëson humbje nga Skocia

Më: 16 mars 2024 Në ora: 18:21
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës U16 për vajza e ka përmbyllur pjesëmarrjen në “UEFA Development Tournament U16” në Tiranë.

Në ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të këtij turneu, Dardanet e reja të udhëhequra nga Albina Rrahmani, kanë pësuar humbje nga një tjetër kundërshtari i nivelit më të lartë, Skocia (që në fund doli edhe fituese e turneut), me rezultat 2:0.

Paraprakisht, Kosova kishte fituar nga Shqipëria (6:0) dhe kishte pësuar humbje nga Portugalia (0:2).

Vashat dardane patën paraqitje shumë të mirë dhe nuk u treguan aspak inferiore, ndonëse përballë kishin një kundërshtar shumë më cilësor.

Rezistenca e Kosovës u thye në minutën e 27-të, kur Freya Brien shfrytëzoi një mbulim jo të mirë të mbrojtjes dhe nga afërsia shënoi për 1:0, pasi mori një asistim nga këndorja.

Në vazhdim Dardanet u përpoqën të gjejnë golin e barazimit dhe kishin disa mundësi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit.

Ndërkohë, në momentet e fundit të ndeshjes kur të gjitha forcat ishin përqendruar tek barazimi i rezultatit, skocezët shfrytëzuan hapësirat e krijuara në mbrojtjen e Kosovës dhe në minutën e 87-të e vulosën fitoren, me golin e Dara Ositelu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat