Reportazhi i “Gazzetta dello Sport”: Itali e dashur të duam shumë, por s’të kemi frikë

Futboll

Reportazhi i “Gazzetta dello Sport”: Itali e dashur të duam shumë, por s’të kemi frikë

Më: 23 mars 2024 Në ora: 18:31
Silvinho

Njëra prej të përditshmeve më të shitura sportive në Itali, “la Gazzetta dello Sport”, i ka kushtuar dy faqe të plota në numrin e sotëm Kombëtares shqiptare. Lidhja mes dy vendeve nuk ka të bëjë vetëm me vendodhjen gjeografike pasi për të na bashkuar edhe më shumë kanë menduar lojtarët e shumtë shqiptarë, të cilët militojnë në Serinë A italiane.

“Flasin italisht, mendojnë si italianët dhe dashurojnë Italinë”, nis reportazhi i gazetës së njohur rozë, e cila menjëherë citon lojtarin kryesor të Shqipërisë Berat Gjimshitin: “Duhet ta kenë të qartë se nuk i trembemi askujt. Është e vërtetë se Italia është e fortë, ka histori dhe është favorite. Por në futboll kemi parë se surprizat janë të shumta”.

Pasi tregon se në vitet e fundit Gjimshiti është stërvitur në Kombëtare nga emra si De Biazi, Panuçi dhe Reja, “Gazzetta” thekson se edhe çantat e shumëta të zbarkuara nga magazinierët shqiptarë në “Tardini” të Parmës kanë diçka italiane… janë të sponsorit teknik të Shqipërisë, “Macron” (edhe kjo italiane).

Më tej “Gazzetta” nxjerr në pah faktin se plot 9 lojtarë të Shqipërisë luajnë në Serinë A italiane ndërsa tregon se plot tre bashkëpunëtorë të Silvinjos janë italianë. Bëhet fjalë për përgatitësin atletik Luka Laurenti (nga Terni), për analistin e takimeve Alariko Rosi (nga Siena) dhe mjekun Xhanluka Stesina (nga Torino).

Gazetarëve italianë u kishte bërë përshtypje italishtja e rrjedhshme e shefit të marrëdhënieve me mediat në FSHF, Fatjon Kodra. “Ky i fundit, ashtu si eprori i tij e flasin mjaft mirë gjuhën tonë”, thuhej në reportazh.

“Dashuroj vendin tuaj, aty ku më parë gjetëm strehë kur ishim në vështirësi. Ishim të varfër dhe kërkonim punë. Tani udhëtoj shpesh me destinacion Milanon, Bergamon, Romën, Empolin dhe disa qytete të tjera. Vij për të parë djemtë tanë, nuk jetoj dot pa futboll dhe… makarona. Edhe në shtëpi gatuaj sikur të isha në grumbullim edhe pse pjatat tona tradicionale janë fasulet, mishi dhe mbi të gjitha pula e pjekur”, tregon Armando Duka.

Numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit pohon se ka një marrëdhënie mjaft të mirë me homologun e tij italian. “Ruaj raporte të mira me Gravinën. Erdhi në Tiranë në shkurt pasi asistoi në ceremoninë kushtuar Paolo Rosit. Udhëtoi drejt vendin tonë së bashku me zonjën Rosi, Sakin, Tardelin dhe Kabrinin.

Ai event preku shumë tifozë të Milanit, të cilët janë të shumtë në numër në Shqipëri edhe pse kohët e fundit Asllani po shton shumë interistët”, tregon Armando Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat