Refuzoi ofertën e Guardiolës

Futboll

Refuzoi ofertën e Guardiolës

Më: 30 mars 2024 Në ora: 15:09
Declan Rice

Jo çdo gjë në jetë është paraja, ose jo të gjitha në botë blihen me para.

Kjo është ajo që ndodhi verën e kaluar me Pep Guardiolën, i cili foli në konferencën e sotme për shtyp për një nga lojtarët e Arsenalit, rivalin e së dielës në Premier League, në një përballje me aromë titulli. Ai është një nga futbollistët më të mirë në Angli, që tashmë ka provuar edhe shiritin e kapitenit të “Tre Luanëve”.

Verën e kaluar refuzoi të vishte fanellën e Manchester City. Konkretisht po flasim për Declan Rice. Mesfushori, që atë kohë luante me West Ham United, refuzoi ofertën e Pep Guardiolës për të zgjedhur projektin e Arsenalit të Mikel Arteta.

“Ndonjëherë ndodh që ka shumë lojtarë që i duam, por vendosin të mos bashkohen me ne”, – pranoi Pep. Një situatë, e cila nuk është hera e parë që i ndodh: “Rice nuk është i pari që kemi dashur dhe na ka refuzuar. Kemi një listë të gjatë”.

Një nënshkrim që do t’i kishte pëlqyer trajnerit katalanas, i cili e shpjegoi në këtë mënyrë refuzimin e tij: “Në parim, ai nuk donte të vinte për të gjitha paratë e botës. Nuk e joshte asgjë, kështu që nuk mund të ndodhte transferimi që dëshiruam si klub.

Rice mori vendimin e tij, është lojtar shumë i mirë, ndaj i urojmë fat. Ai është kapiteni i kombëtares së Anglisë, një lojtar i ri që luan shumë ndeshje rregullisht. Kjo është arsyeja pse Arsenali shtyu fort për të nënshkruar me të”.

Arsenali e mbylli nënshkrimin e Declan Rice nga West Ham për pak më shumë se 100 milionë euro. Një lojtar që i është përshtatur skuadrës së Mikel Arterës dhe sistemit të lojës, stërvitjes dhe filozofisë së tij, siç pasqyrohet në 39 ndeshjet që ka luajtur tashmë me skuadrën londineze dhe 6 golat (plus 7 asiste) në këtë sezon.

Numra që po i lejojnë “Topçinjtë” të konkurrojnë për titullin e Premier League kundër Liverpool dhe Manchester City.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat