Shqipëria njeh kundërshtarët e grupit

Futboll

Shqipëria njeh kundërshtarët e grupit

Më: 5 prill 2024 Në ora: 13:50
Shqipëria

Kombëtarja shqiptare ka mësuar kundërshtarët që do të ketë përballë në grup në Kampionatin Europian të Minifutbollit, kompeticion që do të zhvillohet këtë verë në Bosnjë-Hercegovinë nga data 1 deri më 8 qershor.

Shorti i hedhur dje në Sarajevë e ka vendosur përfaqësuesen kuqezi në një grup tërësisht ballkanas. Kështu, Shqipëria, e cila ishte pjesë e Vazos 4, është shortuar në Grupin A së bashku me vendësit e Bosnjë-Hercegovinës, me Malin e Zi dhe me Slloveninë.

Një grup i vështirë po jo i pamundur, me kuqezinjtë e minifutbollit që do të shkojnë për të thënë fjalën e tyre në këtë kompeticion të rëndësishëm që organizohet nga EMF. Për tu përgatitur për Europianin, Shqipëria ka zhvilluar disa grumbullime dhe teste, ndërsa në një nga miqësoret në muajin shkurt është përballur me Malin e Zi, duke u mundur me rezultatin 1-2 në Tiranë.

Kuqezinjtë do të përballen sërish me malazezët pas disa javësh, teksa do ti sfidojnë në një turne dy ditor në Podgoricë, më datat 30 prill – 1 maj, event ku do të jenë gjithashtu edhe dy nga përfaqësueset më të forta të minifutbollit, siç janë Rumania (kampione bote) dhe Azerbajxhani (kampione Europe). Për sa i përket Kampionatit Europian “Euro 2024”, ai është kompeticion zyrtar i organizuar nga Federata Europiane e Minifutbollit (EMF), me pjesëmarrje të 24 përfaqësueseve nga kontinenti i vjetër. Vendet e para dhe të dyta të secilit grup si dhe katër vendet e treta më të mira, kualifikohen në raundin e dytë, ku dhe do të nisin sfidat me eliminim direkt.

Kujtojmë që kjo do të jetë eksperienca e tretë e Shqipërisë së minifutbollit në një Kampionat Europian, pas “Ukrainë 2018” dhe “Sllovaki 2022”. Vjeshtën e kaluar Shqipëria për herë të parë në histori mori pjesë edhe në Kampionatin Botëror, duke bërë paraqitje dinjitoze përballë emrave të mëdhenj si Franca apo Anglia, në eventin që u mbajt në Emiratet e Bashkuara Arabe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat