Haaland zbulon sekretet

Futboll

Haaland zbulon sekretet

Më: 6 prill 2024 Në ora: 12:55
Erling Haaland

Erling Haaland zgjodhi këngën “Heroi”, klasiken e Enrike si himnin e tij fillestar kur iu bashkua Mançester Sitit. Dhe kjo është pikërisht ajo që Pep Guardiola pret të jetë norvegjezi gjatë javëve të ardhshme, kur sezoni do të japë verdiktet.

Ish-sulmuesi i Borusia së Dortmundit mori vlerësimet më larta për interpretimin e tij të këngës së këngëtarit spanjoll në hotelin e ekipit në Hjuston në një udhëtim parasezonal në korrik 2022. Portieri i ri Stefan Ortega dhe mesfushori Kalvin Filips gjithashtu morën mikrofonin, por Haland vodhi skenën, të paktën sipas mendimit të tij.

“Përsa i përket performancës isha më i miri. Ndoshta me zërin Kalvini ishte më i miri, por unë gjithmonë mendoj se performanca është gjëja më e rëndësishme”.

Megjithatë, performanca e tij në barazimin 0-0 të së dielës në shtëpi me Arsenalin nuk ishte në nivelin e standardeve të tij. Haland humbi një nga rastet më të mira vonë në ndeshje, ndërsa nuk shënoi për ndeshjen e tretë radhazi. Guardiola e uli në stol në fitoren kundër Aston Vilës ndërsa eksperti i “Sky Sports”, Roi Kin tha se loja e përgjithshme e sulmuesit 51.4 milionë paundësh ishte aq e dobët – madje ai e krahasoi atë me një lojtar të Ligës së Dytë.

Në sezonin e tij të parë ai e meritoi plotësisht statusin e heroit, ndërsa 52 golat e tij ndihmuan “qytetarët” të fitonin tripletën. Do të ishte gjithmonë e vështirë për të dhe ekipin e tij të arrinin të njëjtat lartësi të jashtëzakonshme edhe këtë sezon. Por numri i tij i golave, 29, nuk është aspak një katastrofë, veçanërisht kur mendoni se ai humbi dy muaj për shkak të një dëmtimi në këmbë. Dhe me Mançester Sitin që i kanë ngelur edhe të paktën 11 ndeshje deri në fund të sezonit, ndoshta 15, totali i tij pritet të jetë më i lartë. Ndoshta ai duhet t’i kthehet pemës së tij bonsai për t’i sjellë fat, ashtu siç bëri në një moment kyç sezonin e kaluar.

Në dokumentarin “Fituesit e Tripletës” shfaqur ditët e fundit në “Netflix”, zbulohet edhe një pjesë e historisë së sezonit të tyre të jashtëzakonshëm. Në të tregohet se si Haland solli mori me vete në punë një pemë bonsai sezonin e kaluar, pasi ai shpresonte se ajo do të ndihmonte mentalitetin e ekipit. Në shumë kultura, veçanërisht në Japoni dhe Kinë, bonsai shihet si një simbol i paqes dhe harmonisë me ata që marrin kohë për t’i ushqyer ato duke i siguruar një jetë të gjatë. Pemës së vogël iu gjet një vend në dhomën e fizioterapisë dhe të gjithë lojtarëve që hynin iu kërkua të kujdeseshin mirë për të. Haland ishte i bindur se ajo ua dha lojtarëve një shtysë kur ata kishin më shumë nevojë. Sulmuesi dihet se praktikon meditimin për t’u siguruar që ai është në gjendjen e duhur mendore.

Ai thotë në dokumentar: “Pema bonsai është pikërisht vendi nga e marrim energjinë. Ne e tërheqim energjinë nga bonsai dhe e sjellim atë në trup. Është një pemë që na sjell fat, kështu që ne bëjmë shaka shumë me atë. Bonsai e do lagështinë, kështu që më duhej ta çoja në zyrë për të marrë pak. Unë kam pak përgjegjësi për bonsain, t’i jap ujin që i nevojitet. Duhet të marrë dritën e duhur dhe gjithçka”.

Shoku i skuadrës Xhon Stons tregon: “Erling e donte atë. Ai mendoi se do të ishte mirë për dhomën e fizioterapisë. Ndonjëherë ajo shkonte edhe në dhomën e avullit, gjë që ishte edhe sugjerimi i Erling. Të gjithë u kujdesën për të. U kthye në një ritual, nëse hyje dhe nuk e kishe ujitur, atëherë do të ishe pak i zemëruar me veten”.

Në 1 qershor Siti mund të ketë shansin për të fituar sërish tripletën, sado e pamundur mund të duket. Dhe nëse Haland me shokët e tij do të mund ta bënin realitet, atëherë ata do ta meritonin edhe statusin e këngës me të cilin Haland iu prezantua shokëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat