​Çfarë po ndodh me stadiumin e Gjilanit? Nga kjo komunë tregojnë nëse janë pezulluar punimet

Futboll

​Çfarë po ndodh me stadiumin e Gjilanit? Nga kjo komunë tregojnë nëse janë pezulluar punimet

Më: 6 prill 2024 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Për vite me radhë ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilan po vazhdon të neglizhohet duke u bërë kështu një pengesë e madhe në zhvillimin e futbollit në këtë qytet, aq më tepër kur dihet fakti që nga ky qytet vijnë dy prej skuadrave më të mëdha të Superligës së Kosovës, Drita dhe Gjilani.

Një fije shprese për dashamirët e sportit në këtë komunë erdhi në fund të vitit të kaluar kur Ministria e Sportit ndau një buxhet prej 15 milionë eurove, por përkundër kësaj, gjendja edhe më tutje ka mbetur e pa ndryshuar në teren.

Madje, ditëve të fundit u raportua se Zyra e Prokurimit në Komunën e Gjilanit i ka pezulluar të gjitha procedurat rreth këtij projekti, por një gjë e tillë është mohuar nga Drejtori i Sportit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri.

Zeqiri: Projekti për ndërtimin e stadiumit nuk është anuluar asnjëherë

“Brenga më e madhe e gjithë sportit është stadiumi i qytetit që realisht në shumë media dashakeqe janë bërë dezinformomë për publikun, gjë që nuk janë të vërteta që thuhet se është anuluar apo vazhdimisht ka pasur lajme që është anuluar tenderi, por realisht ka qenë afati kohor që kanë aplikuar kompanitë, pastaj janë ankuar, nëse një kompani në prokurim publik ankohet për një kriter, atëherë automatikisht sipas rregullave të prokurimit ai pezullohet derisa të shqyrtohet nga Organi Shqyrtues o Prokurimit në nivel qendror për të vazhduar pastaj.”, thotë fillimisht Zeqiri.

Teksa flet për KosovaPress, Zeqiri zbulon se për ndërtimin e stadiumit kanë aplikuar tri kompani, prej tyre do të zgjidhet njëra dhe se punimet pritet të fillojnë brenda dy muajve të ardhshëm.

Zeqiri: Brenda dy muajsh fillon ndërtimi i stadiumit në Gjilan

Pasi që ky projekt është një projekt mjaftë i madh, është një memorandum i nënshkruar nga Ministria e Sportit me Komunën e Gjilanit, projekt që kap shifrën prej 15 milionë eurove, kanë aplikuar tri kompani në konsorcium, janë tri aplikime, të gjitha në konsorcium me kompani të ndryshme mes vete për shkak se njëra ndër kriteret ka qenë se kompania e cila pretendon ta marrë këtë projekt duhet të ketë qarkullim mbi 20 milionë euro brenda vitit...Si procedurë besoj se do të përfundojë së shpejti, por duhet pasur parasysh se projekti është mjaftë i madh, ka një paramas shumë të madhe dhe duhet analizë mjaftë e thellë edhe e vlerësuesve...Ne po besojmë që brenda dy muajve vetëm të fillojmë punën”, bëri të ditur Zeqiri.

E derisa të nis ndërtimi i stadiumit, trajneri dhe analisti, Genc Sermaxhaj ka thënë se mungesa e stadiumit po i shkakton dëme të mëdha futbollit në Gjilan. Ai shton se shpresa për fillimin e punimeve mbetet edhe më tutje shumë e vogël, por që tifozët janë ata që kanë nevojë më së shumti për këtë stadium.

Sermaxhaj: Për shkak të stadiumit po penalizohet futbolli gjilanas

“Me sa jam i informuar, është hera e dytë që janë pezulluar punimet në stadiumin e qyteti në Gjilan dhe kjo është duke shkuar në dëm të dy klubeve, të Gjilanit dhe të Dritës sepse stërvitjet dhe ndeshjet kampionale janë duke i zhvilluar në këtë stadium që për dallim nga e kaluara kemi parë pikërisht edhe në derbi që kanë luajtur Drita dhe Gjilani ndoshta jo në një infrastrukturë të mirë në stadiumin e qytetit, por kemi parë që tifozeria ka qenë në nivel, janë grumbulluar një numër i madh i tifozëve, ndërsa në këtë stadium ku ne jemi duke bërë intervistë janë zhvilluar edhe në të kaluarën në këtë sezon ndeshjet derbi Gjilani-Drita, por nuk ka pasur tifozë. K pasur tifozë vetëm të ekipit vendas...Pra është duke u penalizuar futbollin në qytetin e Gjilanit, shpresoj që sa më shpejtë të ndërmerren hapat që ai stadium të rregullohet dhe ekipet e para të barten atje, t’i zhvillojnë ndeshjet atje”, theksoi Sermaxhaj.

Ndryshe, Ministria e Sportit dhe Komuna e Gjilanit në shtatorin e vitit të kaluar kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e këtij stadiumi që pritet të kushtojë rreth 15 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat