Aubameyang: E merituam kualifikimin

Futboll

Aubameyang: E merituam kualifikimin

Më: 19 prill 2024 Në ora: 18:46
Pierre-Emerick Aubameyang

Pas pesë humbjeve radhazi Marseille u rikthye te suksesi dhe jo vetëm kaq, kjo pasi marsejezët përmbysën gjithçka ndaj Benfica-s, duke siguruar biletën për në gjysmëfinalet e Europa League-s.

Marseille fitoi 1-0 në “Velodrome”, teksa gjithçka u vendos nga penalltitë, aty ku skuadra e Gasset fitoi 4-2.

Pas ndeshjes, golashënuesi më i mirë i këtij edicioni dhe jo vetëm, por edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Europa League, Pierre-Emerick Aubameyang u shpreh shumë i lumtur për fitoren dhe kualifikimin.

“Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme, e pabesueshme.

Ky sukses është për të gjithë skuadrën, për të gjithë tifozët. Sinqerisht ka vetëm gëzim sepse me përpjekjet që kemi bërë, mendoj se është një kualifikim i merituar.

Të gjithë luftuan, dhanë gjithçka që kishin. Imagjinoni, kishim shumë mungesa, madje Veretout nuk u dorëzua edhe pse ai e kishte të pamundur edhe për të ecur. Kemi kaluar një periudhë të vështirë, kemi marrë shumë kritika, por ne ja ku jemi, në gjysmëfinalet e Europa League.

Finalja? Ne nuk u dorëzuam edhe pse në Portugali humbëm, nuk u dorëzuam edhe pse kishim shumë mungesa, ndaj tani për të gjithë sakrificën tonë do të bëjmë gjithçka për të shkuar në finale. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të bëjmë gjithçka” – Aubameyang që në “Da Luz” shënoi e në “Velodrome” dhuroi asist, me sulmuesin që është padiskutim njeriu lider i Marseille.

Tani, marsejezët do të vendosen përballë Atalanta-s në gjysmëfinale, me sfidën e parë që do të luhet në Francë më 2 Maj dhe ajo e kthimit pas një jave në Bergamo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat