Situata sa vjen e bëhet më e frikshme të Juventusi

Futboll

Situata sa vjen e bëhet më e frikshme të Juventusi

Më: 30 prill 2024 Në ora: 13:34
Juventusi

Bardhezinjtë vazhdojnë që të mos dinë të fitojnë dhe situata sa vjen e bëhet më e frikshme.

Ai kundër Milanit ishte barazimi i tretë radhazi, por edhe më i frikshëm është fakti që Juventusi numëron vetëm 1 fitore në 8 ndeshjet e fundit në kampionat, ose 2 në 10 takime, nëse llogarisim edhe dy duelet në Kupën e Italisë me Lacion.

Prandaj, kush mendonte se fitorja kundër Fiorentinës i nxori nga kriza u gabua, pasi numrat tregojnë totalisht të kundërtën. Madje, janë numrat më të shëmtuar të 20 viteve të fundit në shumë aspekte.

E vetmja gjë pozitive dhe që shpëton imazhin e “Zonjës së Vjetër” dhe atë që janë pjesë e saj në këtë sezon është fakti se ata janë në finalen e Kupës së Italisë dhe mbi të gjitha zona Champions është fare pranë nga zyrtarizimi matematikor, edhe pse rreziqet dhe tensioni deri në fund nuk do të jetë aspak i vogël. Fati ka dashur që Bolonja të mos fitojë sa herë që Juventusi ndalet dhe kështu ka ruajtur vendin e tretë ende. Roma nuk ka një marsh më shumë që të tentojë të ngjisë shkallët (dje barazim në Napoli), ndërsa Atalanta, edhe pse me një ndeshje më pak, duket disi larg për të prishur gjumin “Champions” të Alegrit dhe Juventusit. Gjithsesi, numrat që ofrohen më poshtë kanë më tepër nuancë të zezë sesa të bardhë…

– Në ditën e 300 pankinave të Alegrit me Juventusin në Serinë A, bardhezinjtë barazojnë sërish, këtë herë me Milanin, i treti radhazi pas atij me Torinon dhe Kaljarin, duke shtyrë më tej kualifikimin në Champions.

– Pas 0-0 me Milanin, asnjë skuadër nuk ka barazuar me shumë sesa Juventusi në këtë vit 2024, 7 “X”, njësoj si Torino dhe Xhenoa. Madje, fitoret e Juventusit në këtë vit diellor mbeten vetëm 5 dhe janë arritur kundër Salernitanës, Sasuolos, Leçes (në janar), Frozinones (në shkurt) dhe ndaj Fiorentinës në prill. Çmenduria është se në 8 ndeshjet e fundit kanë arritur vetëm 1 fitore.

– Objektivi Champions është pranë, por nuk do të ishte i tillë nëse mendojmë për ritmin e Juves në fazën e dytë: vetëm 19 pikë të grumbulluara (1.27 pikë për ndeshje mesatarisht), të cilat nuk do të vlenin më shumë se vendin e 9-të në renditje. Me këtë ritëm, bardhezinjtë do të ishin më pranë zonës së rënies nga kategoria, sesa katërshes së parë të klasifikimit.

– Duke fituar 4 ndeshjet e fundit në kampionat, Juventusi do të mund të kompletonte fazën e dytë në kuotën e 31 pikëve, e thënë ndryshe rendimenti më i dobët që kur Seria A është bërë me 20 skuadra (që nga sezoni 2004-2005). Shpresa është që Alegri të paktën ta mbyllë më mirë sesa në sezonin 2009-2010 (vetëm 22 pikë në fazën e dytë) dhe në 2010-2011 (26 pikë), dy sezone në të cilat Juventusi e mbylli në vendin e shtatë. Ndërkohë, kujtojmë se faza e dytë më e mirë e historisë së Juves janë 50 pikët në sezonin 2013-2014.

– Përveç mungesës së pikëve, Juventusi vuan edhe nga kriza e golit. Kundër kuqezinjve, pavarësisht rasteve të shumta të krijuara, ka mbërritur një tjetër ndeshje pa gol, e shtata në këtë kampionat. 6 prej tyre janë regjistruar pikërisht në fazën e dytë dhe ata që kanë menduar që të nxjerrin nga telashet shpesh Juventusin kanë qenë Vlahoviç dhe mbrojtësit me golat e tyre. – Në të njëjtën kohë ka kaluar më shumë sesa 1 muaj nga hera e fundit që bardhezinjtë kanë shënuar me aksion. Më konkretisht nga goli i Milikut në barazimin 2-2 në “Allianz Stadium” kundër Atalantës, në javën e 28-të (10 mars). Në 6 ndeshjet e fundit në kampionat, Juventusi e ka gjetur golin vetëm me goditje standarde.

– Nga 10 marsi e mbrapa, pra nga 2-2 me Atalantën, Juventusi numëron vetëm 3 gola të shënuar dhe këto në 2 ndeshje, por sërish asnjëri prej tyre nuk ka ardhur me aksion. Një gol i Gatit, 1-0 kundër Fiorentinës nga goditje këndi, ai i Vlahoviçit me goditje dënimi direkte ndaj Kaljarit dhe tjetri ishte një autogol i Kaljarit.

– Aspekti që çalon më shumë te ky Juventus është sulmi, 47 gola të shënuar pas 34 javësh kampionat. Shifër shumë e varfër… e thënë ndryshe, në 4 javët e mbetura të Serisë A, bardhezinjtë duhet të shënojnë të paktën 8 gola për të mos regjistruar numrin më të ulët në një kampionat me 20 skuadra (që nga sezoni 2004-2005).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat