Vllazni sulmuese me Dinamon

Futboll

Vllazni sulmuese me Dinamon

Më: 3 maj 2024 Në ora: 13:48
Pamja nga ndeshja

Pas fitores me Egnatian, në debutimin e tij në stolin kuqeblu, trajneri Tomas Brdariç do të kërkojë një tjetër sukses të shtunën kundër Dinamos. Ato 3 pikë të marra në Rrogozhinë, ndaj një kundërshtari si Egnatia, kanë rritur moralin te Vllaznia, që synon të ruajë deri në fund vendin e dytë, pse jo dhe të përfitojë nga ndonjë gabim i mundshëm i kryesuesve të renditjes.

STOJANOVIÇ-KRYMI – Atmosfera në kampin kuqeblu ka qenë shumë e mirë, por humori i stafit teknik është prishur disi dy ditë para ndeshjes me Dinamon, sepse kanë shfaqur probleme dy lojtarë titullarë të skuadrës shkodrane.

Mbrojtësi i qendrës, Milosh Stojanoviç, ka shfaqur sërish probleme fizike dhe gjasat janë që të mos jetë i gatshëm këtë fundjavë.

Ai e nisi nga stoli edhe ndeshjen me Egnatian, ku u aktivizua në pjesën e dytë. Lojtari serb ka pësuar një tërheqje, që ka vënë në dyshim serioz përfshirjen e tij në ndeshjen e së shtunës. Edhe Krymi ka probleme muskulore, por dëmtimi i tij është më i lehtë. Në kampin shkodran ka besim se mesfushori i qendrës nuk do të mungojë kundër Dinamos, por një ide më e qartë do të krijohet sot, kur do të zhvillohet edhe seanca e fundit stërvitore.

VLLAZNI SULMUESE – Në ndeshjen e së shtunës në “Loro Boriçi” pritet të duket më shumë dora e trajnerit Tomas Brdariç. Kundër Egnatias ai nuk bëri ndryshime në krahasim me formacionin e paraardhësit të tij, Qatip Osmani. Përjashtimi i vetëm ishte Gruda, për shkak të gjendjes shëndetësore. Po me Dinamon, a do të ketë ndonjë ndryshim në emra apo në rreshtim? Lëvizjet me ndryshimin e vendeve apo skemës në Rrogozhinë erdhën edhe si pasojë e superioritetit numerik që pati Vllaznia për 80 minuta. Kështu, ndaj Dinamos të gjithë janë kureshtarë të shohin se çfarë skuadre do të prezantojë në fushë trajneri Brdariç. Emrat në fakt janë pak a shumë ata.

Përpara portierit Qarrit do të vendosen Smajli dhe Hakaj nga krahët, kurse në qendër dyshja Pusi-Juriç, duke pasur parasysh dëmtimin e Stojanoviç. Në mesfushë është parë një spostim më përpara i Boshnjakut, duke lënë vetëm Krymin dhe Alivodën në qendër para mbrojtjes. Kjo mund të jetë e vetmja lëvizje edhe për sfidën e së shtunës me Dinamon, me shpresën që Krymi do të jetë gati për lojë. Për sulmin, Mala dhe Balaj janë të palëvizshëm, kurse Gruda, Çoba dhe Sala janë kandidatët për lojtarin e 3-të të repartit të avancuar. Do të shihet edhe sot se çfarë mund të ndryshojë tekniku i ri në kaq pak ditë në krye të Vllaznisë.

Ai njihet në Shkodër për futbollin me theks sulmues dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë herë në “Loro Boriçi”.

Një fitore e mundshme kundër Dinamos do të kishte vlera të mëdha në këtë moment për shkodranët, jo vetëm në tabelën e renditjes, por edhe për anën psikologjike, kur po i afrohemi fazës së “Final 4”-it.

KALENDARI – Vllaznia ka një kalendar të vështirë për 3 javët e fundit të kampionatit. Pas Dinamos, shkodranët do të përballen me një tjetër skuadër kryeqytetase, Tiranën, kurse në fund presin Skënderbeun. Janë të tria skuadra që luftojnë për vendin e fundit që të çon në “Final 4”, por kuqeblutë janë të detyruar t’i kalojnë me sukses, nëse duan të paktën të ruajnë vendin e dytë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat