Allegri: Gëzim i jashtëzakonshëm!

Futboll

Allegri: Gëzim i jashtëzakonshëm!

Më: 16 maj 2024 Në ora: 12:13
Allegri

Një sezon plot ulje ngritje për Juventusin, por i mbyllur bukur. Me kualifikimin në Champions League, që ishte objektivi kryesor, dhe fitimin e Kupës së Italisë.

Bardhezinjtë mposhtën 1-0 Atalantën në “Olimpico”, duke dërguar trofeun e dytë më të rëndësishëm për herë të 15-të në Torino.

Trajneri Max Allegri, i cili shpërtheu në fund duke u ndëshkuar me karton të kuq, vlerësoi ndeshjen e djemve të tij. Teksa theksoi se fitorja është pjesë e ADN-së së “Zonjës”.

“Jam i lumtur për djemtë, ata u dhuruan gëzim të madh klubit dhe tifozëve. Kurrë nuk është e lehtë të fitosh, por bën pjesë në ADN-në e Juves“.

Më pas një koment për të ardhmen. Me shtypin italian që thekson se tekniku livornez do të zëvendësohet nga Thiago Motta në pankinën bardhezi.

“Klubi do të bëjë vlerësimet e veta. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi të lavdishëm“, u shpreh trajneri rekordmen i këtij kompeticioni.

56-vjeçari e fitoi për herë të pestë Kupën e Italisë, shifër që nuk e ka arritur asnjë prej kolegëve të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat