Pulisiç: Nuk kam mbaruar ende

Futboll

Pulisiç: Nuk kam mbaruar ende

Më: 17 maj 2024 Në ora: 12:12
Kristian Pulisiçi

Gazeta “Tuttosport” i ka kushtuar një analizë të thellë Kristian Pulisiçit, i cili po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij në përvojën e tij të parë me fanellën e kuqezinjve.

Në fakt, me dopietën e shënuar në Milan-Cagliari 5-1 të shtunën në mbrëmje në “San Siro”, “Kapiten America” ka arritur në 12 gola në Serie A, nga 15 gjithsej, në 48 ndeshje të luajtura. Me dy golat kundër Kaljarit, siç thamë, ai kap shifrën e 12 realizimeve në total gjatë këtij sezoni të Serisë A. Në këtë mënyrë ai shkruan një rekord të ri për klubin kuqezi.

Numri 11 kuqezi bëhet mesfushori i parë, që shënon më shumë se 10 gola në një sezon për Milanin, që në sezonin 2005-2006.

Atë vit ishte pikërisht legjenda e klubit italian, Kaka që arrinte të kapte një shifër të tillë. Kjo nuk është hera e parë që 25- vjeçari arrin të shkruajë historinë. Edhe në vitin 2021, ai u bë amerikani i parë që luante në një finale të Ligës së Kampioneve dhe ta fitonte atë me ekipin e Çelsit.

FJALË LIDERI – I kontaktuar nga “ESPN” ka qenë vetë 26 vjeçari që ka komentuar momentin e tij dhe me modesti ka deklaruar:

“Është e vështirë të thuhet nëse ky është sezoni më i mirë i karrierës sime. Statistikat e thonë këtë, por unë nuk po bëj asgjë tjetër veç argëtimit në Serie A me Milanin. Kam shumë mundësi për të luajtur dhe për të demonstruar cilësitë e mia.

Kështu që unë thjesht po argëtohem.”

Pas barazimit të Juves me Salernitantën, kuqezinjtë kanë siguruar vendin e dytë, por megjithatë kjo nuk do të thotë se janë dorëzuar për ndeshjet e mbetura në Serinë A. Lidhur me këtë siguron Pulisiç që deklaroi

: “Është shumë e rëndësishme të mbyllim me dy fitore kampionatin. Duhet ta përfundojmë sezonin sa më mirë që mundemi pavarësisht se kemi siguruar vendin e dytë.

Duam të mbledhim sa më shumë pikë krahasuar me një vit më parë dhe pavarësisht se do të luajmë në Torino, synojmë të fitojmë.

Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Ata gjithashtu po luftojnë për të hyrë në Evropë dhe kështu do të jenë të motivuar, duan të fitojnë, por ne shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të fitojmë siç ndodhi ndaj Kaljarit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat