Shillova: Flamurtari nuk është ai i viteve të fundit

Futboll

Shillova: Flamurtari nuk është ai i viteve të fundit

Nga: Kemajl Goca Më: 28 gusht 2018 Në ora: 11:07
Alban Shillova

Flamurtari i Prishtinës me lojëra të mira dhe rezultate i ka lënë gojëhapur të gjithë, të paktën në dy javët e para. “Flamurtarët” pas fitores me rezultat 1:0 ndaj Ferizajt, fituan edhe në Gjilan kundër kampionit në fuqi, Dritës dhe kësisoj udhëheqin renditjen me 6 pikë në elitën e futbollit. Sulmuesi Alban Shillova është prej më të dalluarve për fitoren në Gjilan, duke shënuar dy gola, që ishte i treti për edicionin e sivjetshëm.

“Bota sot”: Flamurtari është lider në elitë, një befasi apo ishte e pritur?

Alban Shillova: Kemi punuar shumë dhe nuk është që nuk e kemi pritur, pasi që jemi motivuar shumë. Po ashtu edhe klubi ka bërë një organizim shumë të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kësisoj edhe në vazhdim, kështu që të jemi një skuadër stabile.

“Bota sot”: Fitore senzacionale në Gjilan, ka qenë një hakmarrje ndaj ish skuadrës tuaj, Dritës?

Alban Shillova: Jo, nuk mund të themi hakmarrje, thjesht ishte një lojë e mirë dhe angazhim i yni, që na u shpërblye në fund.

"Bota sot”: Trepikësh i papritur, por çka ndikoi në lojën e Flamurtarit?

Alban Shillova: I papritur për shumëkënd por na besuam dhe ia dolëm, pasi që ishim në disavantazh,  nuk patëm çka të humbim më dhe filluam të sulmojmë, andaj ja dolëm.

“Bota sot”: Në javën e ardhshme Flamurtari ndeshet me KEK-un, a mendoni se është sfidë e lehtë?

Alban Shillova: Jo, nuk mendoj që është një sfidë e lehtë, pasi që pamë se KEK-u nuk është ekip që duhet të nënçmohet, pasi që Gjilani fitoj në minutat e fundit kundër tyre. Do ta respektojmë KEK-un maksimalisht, që nga minuta e parë.

“Bota sot”: Si e sheh Flamurtarin në vazhdim të kampionatit?

Alban Shillova: Siç kam thënë edhe para fillimit të kampionatit, Flamurtari nuk është ai i viteve të fundit dhe çdo skuadër do ta ketë të vështirë t’i marr pikë.

“Bota sot”: Dy fitore në dy javët e para, cilat janë synimet e Flamurtarit?

Alban Shillova: Synimi ynë është të jemi ekip stabil.

“Bota sot”: Çka e veçojë në dy javët e para, ku ishit më të përsosur?

Alban Shillova: Mendoj se jemi ekip i bashkuar dhe nuk ka individ, por jemi bashkë dhe luajmë për njëri – tjetrin.

“Bota sot”:  Për dy ndeshje shënuat tri gola, a e synoni epitetin e shënuesit më të mirë?

Alban Shillova: Është shumë herët të flasim, por unë do ta jap maksimumin dhe të shënoj sa më shumë, nëse më jepet mundësia pse jo.

“Bota sot”: A ka cilësi më shumë se në edicionin e kaluar në elitë?

Alban Shillova: Ka dhe mendoj që futbolli i Kosovës ka vite që është në ngritje për nga cilësia e infrastruktura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat