Arifaj: Vëllaznimi është rivali më i madh i Dukagjinit

Futboll

Arifaj: Vëllaznimi është rivali më i madh i Dukagjinit

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shtator 2018 Në ora: 18:07
KF Dukagjini

Në pesë javët e para të Ligës së Parë të Kosovës në futboll, shihet një garë e fortë për dy vendet e para.  Dukagjini i Klinës nuk di për humbje, ka tri fitore e dy barazime dhe mban vendin e dytë me 11 pikë aq sa ka edhe Vëllaznimi në kreun e tabelës dhe Onix në pozitën e tretë. Besa dhe Vushtrria janë në vend të katërt përkatësisht të pestë me nga 10 pikë.

Sulmuesi i Dukagjinit, Granit Arifaj, tha se kanë arritur rezultate të mira dhe është i bindur se do të jenë edhe më të mirë në javët e ardhshme. Dukagjini është prej skuadrave më të përforcuara në ligë dhe që llogaritet se me disa tjera do të luftojnë për dy vendet e para.  Arifaj shprehet se është herët të jepet me saktësi se cilat nga skuadrat do të jenë të luftë të denjë për dy vendet e para, pasi që deri me tash janë zhvilluar vetëm pesë javë. 

“Bota sot”: Dukagjini në pesë ndeshje ka arritur tri fitore, dy barazime, pa humbje, a keni pritur më shumë?

Granit Arifaj: Me rezultatet e arritura deri me tash gjithsesi se jemi të kënaqur dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu me këtë ritëm.

“Bota sot”: Si e sheh ligën dhe cilat skuadra në luftë për dy vendet e para?

Granit Arifaj: E shoh ligën e parë të përforcuar shumë, pasi shumë lojtarë të Superligës po luajnë nëpër ekipe të ligës së parë dhe liga është e fortë dhe shumë interesante. Është herët të flitet për dy vendet e para, por mendoj që Dukagjini do të jetë gjithsesi në dy vendet e para.

“Bota sot”: Ju si sulmues çka premtoni?

Granit Arifaj: Unë premtoj angazhim maksimal në çdo lojë dhe gola gjithsesi.

“Bota sot”: Javën e ardhshme ballafaqoheni me Kikën, a mendoni se është ndeshje që fitohet lehtë?

Granit Arifaj: Do të jetë ndeshje më e vështirë, pasi shumica ekipeve janë me cilësi gati të barabarta, por ne do të japim maksimumin dhe besoj që do të marrim fitore. Është ndeshje e vështirë, por besojmë në tri pikë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet te Dukagjini?

Granit Arifaj: Jam i kënaqur shumë me kushtet për ligë të parë dhe është gjithçka perfekte, por nëse hyjmë në Superligë na nevojitet një fushë ndihmëse dhe do gjëra që besoj se do të bëhen me kalimin e kohës.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë Dukagjinit?

Granit Arifaj: Një fushë ndihmëse tash fillon sepse koha do të prishet e nuk mund ti mbash stërvitjet, pasi e dëmton fushën, ka nevojë ndoshta edhe një pjesë e tribunës me u rregulluar.

“Bota sot”: Cili është rivali më i madh i Dukagjinit?

Granit Arifaj: Rivali më i madh sa kam mundur me pa në këto pesë javë është Vëllaznimi e cila ka një ekip shumë të organizuar mirë dhe një trajner të mirë, besoj që do të jetë luftë deri në fund për vend të parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat