Qeveria e Gjermanisë konfirmon se SHBA’ja po shqyrton tërheqjen e trupave - Bota Sot
Qeveria e Gjermanisë konfirmon se SHBA’ja po shqyrton tërheqjen e trupave

Gjermania

Qeveria e Gjermanisë konfirmon se SHBA’ja po shqyrton tërheqjen e trupave

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 23:04
Foto

 

Qeveria e Gjermanisë tha se ka marrë njoftim zyrtar për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga ky vend.

Njoftimi pason raportet në media se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar tërheqjen e rreth 15,000 ushtarëve amerikanë nga afro 34,500 sish që janë të vendosur në Gjermani.

As Shtëpia e Bardhë, as NATO-ja nuk kanë pranuar t’i komentojnë raportet e mediave.

“Qeveria federale është informuar se në administratën e SHBA-së po shqyrtohet zvogëlimi i pranisë së forcave ushtarake amerikane në Gjermani”, tha të mërkurën Ulrike Demmer, zëdhënëse e kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Me sa dimë ne, nuk ka vendim përfundimtar”, shtoi ajo.

Disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se nëse ky plan zbatohet, ai do ta dëmtojë sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe do ta forcojë pozicionin e Rusisë në Evropë.

Gjermania ka trupa amerikane më shumë se çdo vend tjetër në Evropë.

Por, lidhjet transatlantike janë tensionuar nën Trumpin, i cili disa herë ka kritikuar Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane për kontribute të pamjaftueshme në NATO.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat