Tentoi të vriste rojen e një klubi nate, kush është i riu që u ekstradua në Gjermani

Gjermania

Tentoi të vriste rojen e një klubi nate, kush është i riu që u ekstradua në Gjermani

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 13:59
Shkëlqim Kastrati

Është ekstraduar drejt Gjermanisë një shtetas shqiptar i arrestuari në vendin tonë, Shkëlqim Kastrati, i cili ishte në kërkim nga autoritetet gjermane prej 5 vitesh.

Kastrati, 23 vjeç me origjinë nga Kosova, është ekstraduar ditën e sotme, pasi tentoi të vriste rojen e një klubi nate në Gjermani.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, ka vendosur të miratojë në dhjetor ekstradimin e kosovarit, i cili rezulton të jetë shpallur në kërkim prej dhjetorit 2017 nga Gjykata e Villingenit në Gjermani, pasi rezulton se ai ka kryer veprën penale të “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë.

Vendimi që lejon ekstradimin e Kastratit, u mor në Gjykatën e Lartë, duke urdhëruar që ky shtetas të ekstradohet menjëherë, sapo të ketë përfunduar dënimin e marrë në Shqipëri, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”.

Sipas dosjes hetimore, Shkëlqim Kastrati me origjinë nga Kosova, është implikuar në një ngjarje të rëndë në Gjermani, ku si pasojë e një konflikti me punonjësin e sigurisë së një klubi nate, e ka qëlluar këtë të fundit me pistoletë, duke e dëmtuar rëndë.

Fatmirësisht punonjësi i sigurisë ka mundur t’i shpëtojë sulmit me armë, për shkak se në trup mbante të veshur një jelek antiplumb.

Ndërkohë, pas krimit të rëndë, Kastrati, është larguar menjëherë nga Gjermania, duke u strehuar në Shqipëri.

Autoritetet e drejtësisë, nxorën mandat arresti për të, por nuk mundën ta lokalizonin dhe arrestonin brenda territorit gjerman.

Shkëlqim Kastrati u arrestua nga policia Shqiptare në muajin maj 2019 në ambientet e një palestre fitnesi.

Ndërkohë gjatë kontrollit në banesën me qira ku jetonte Kastrati, në rrugën e Durrësit, Policia e Tiranës i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, plumba dhe një sasi kanabisi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat