Berisha: Amenetin e shefave të PDK-së, Isa Mustafa e çoi në vend, për ta shkatërruar LDK-në e Rugovës

Gjermania

Berisha: Amenetin e shefave të PDK-së, Isa Mustafa e çoi në vend, për ta shkatërruar LDK-në e Rugovës

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 17:10
Xhevat Berisha

“Tani kur LDK-së ka ra nën 13% dorëheqja e zotit Mustafa nuk çon kurrfarë peshe, ky njeri së bashku me Agim Veliun, Bajram Gecajn, Skender Hysenin, Driton Selmanajn, Arben Gashin e disa të tjerë që krejt fushatën e kishin të orientuar kundër zonjës Osmani, ishte aq kontraproduktive sa që ajo ua rrëmbeu më shumë se gjysmën e elektoratit! Tani LDK-së së rrënuar për toke, i vyen edhe një dekadë për ta rimarrë veten!..” ka thënë për gazetën zvicerane Le Canton27.ch veprimtari i njohur i çështjes kombëtare në Gjermani, njëherësh anëtari i LDK-së dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës, z. Xhevat Berisha, autor i gjashte veprave letrare.

Z.Berisha fillimisht mund të na thoni ca fjalë për juve nga koha si student deri në gurbet…dhe aktivitetet e juaja në diasporë (Gjermani)?

Xhevat Berisha: Unë nuk e pata fatin që t’i përfundoj studimet në Kosovë, sepse posa ato i fillova në gjuhë dhe letërsi, u burgosa dhe u dënova me pesë vite burg të rëndë, pas daljes nga burgu vazhdova aktivitetet e mia politike, dhe prapë u dënova nga Gjykata e Lipjanit me një vit burg dhe për t’i ikur këtij dënimi, me vitin 1993 u detyrova që ta lëshoj Kosovë së bashku me familjen time. Pas ardhjes në Gjermani jam kyçur në aktivin e LDK-së, veprimtaria ime ka qenë e fokusuar në njoftimin e opinionit gjerman me dhunën që bënte regjimi serb në Kosovë.

Po ashtu për një periudhë e kam udhëhequr komisionin e 3% në rrethinën tonë dhe më vonë jam emëruar arkëtar i komisionit gjithçka për pavarësinë e Kosovës, ku në fondin e FRK-së i kam derdhur rreth 2 milionë e shtatëqind mijë DM- mjete të grumbulluara nga bashkatdhetarët.
Që nga viti 2003 kam vazhduar studimet në drejtimin „menaxhim publik“ dhe i kam përfunduar me 2008, që nga ajo periudhë punoi në profesionin tim në shtëpinë e kulturës së qytetit Kaiserslautern.

Meqë teme aktuale janë sot në Kosovë zgjedhjet e 14 shkurtit dhe fitorja e thellë e Albin Kurtit me Vjosa Osmanit dhe humbja e thellë e Isa Mustafës, ju si e keni pritur këtë kthesë të themi radikale? LDK e Rugovës a e meriton këtë çfarë i bëri Isa Mustafa?

Xhevat Berisha: Dr. Rugova ishte njeri i cili bënte kërkesa që vota të shpërndahet në formë plurale dhe ai nuk ishte kundër asnjë partie politike, mirëpo ai i kishte kuptuar qëllimet e Hashim Thaçit dhe thoshte se këtë njeri duhet mbajtur larg pushtetit, sepse është i dëmshëm për Kosovën. Pas vdekjes së Rugovës, Fatmir Sejdiu edhe Isa Mustafa e sollën në pushtet! Kurse Albin Kurti nuk ka qenë ndonjë faktor që Rugova është marrë shumë me te, Ai si aktivist i ri e ka kritikuar disa herë, por disa herë ka folur edhe mirë për Dr.Rugovën, të tillë kemi edhe brenda strukturave të larta të LDK-së. Në momentet kur LDK-së e kishte ri-marrë vetën si asnjëherë më parë, pas vdekjes së Dr.Rugovës, Isa Mustafa përkundër vullnetit të elektoratit e bëri koalicionin famëkeq me 2014 me PDK-së..! Për ta lënduar edhe më shumë elektoratin, ai bashkë me Alma Lamat, Kujtim Shalën e Arbenat, të cilët më vonë u akomoduan sipas marrvëshjeves e bënë Hashimin President! Gjatë një kuvendi të LDK-së, Isa Mustafa, delegatët e Mërgatës i la në diell për orë të tëra dhe nuk i lejoi të marrin pjesë në punimet e kuvendit! Në kuvendin e radhës me rojet e tija, e rrahu Donika Gërvallën para syve të botës! Para zgjedhjeve të kaluara e nominoi Vjosa Osmanin për kandidat për kryeministër, por postin e kreut të LDK-së nuk e lansoi te zonja Osmani, e që duhej ta bënte së paku me një kusht që nëse ajo nuk arrin t’i fitojë zgjedhjet, me liru postin e kreut të LDK-së; kjo dobësi e tija bëri që LDK-së të mos i fitojë zgjedhjet! Isa Mustafa para se të bënte koalicion me VV, ai veç kishte bërë koalicionin „B“ me PAN sipas skenarit të Hashim Thaçit! E nominoi Agim Veliun për ministër të brendshëm, i cili çdo fillim-dite thoshte: ky koalicion nuk zgjatë! E rrëzoi qeverinë Kurti sipas skenarit të Hashimit dhe të Ramushit në kohë pandemie. E bëri qeverinë Hoti me votën e Haxhi Shalës pas gjysmës së natës me Hashimin dhe Ramushin me kusht që djali i tij të bëhet konsull në Çeki, shqiptarëve u kishte vendos vija të kuqe në anën tjetër e formoi qeverinë dhe rol kyç iu dha Rakiqit!

Image

I tha Server Dodës grumbullomi mesazhet për ta përjashtuar Vjosa Osmanin nga strukturat dhe i ofroi asaj që të rri si anëtare e thjeshtë e LDK-së edhe pse ai e dinte se Vjosa gëzonte përkrahje të cilën ajo e kishte dëshmuar kur Isa e renditi me Nr.81, e ajo e theu rekordin duke i marrë mbi 60000 vota nga ajo renditje! Isa Mustafa gjatë fushatave e akuzonte SHIK-un për vrasjet e figurave të LDK-së, në anën tjetër sa ishte Kryeministër krijoi fondin për mbrojtjen e tyre!

Kur Hashim Thaçi dhe sejmenët e tij që mbuloheshin me petkun e LDK-së dhe e fyenin familjen e zonjës Osmani duke ia identifikuar babanë e saj me portretin e Milan Martiqit, Isa bashkë me disa miq të tij, në vend se t’i dilnin në mbrojtje, i pëlqenin sharjet dhe falsifikimet e tilla.

Nuk ka njeri të pagabueshëm, edhe Vjosa gaboi kur i besoi manipulimit të Ramushit gjoja se është arritur marrëveshje në mes të dy presidentëve që të kthehet Qakorri dhe ia votoi demarkacionin, mirëpo mos të harrojmë se që nga viti 2014 Vjosa bashkë me ne disa, kemi kërkuar rreshtazi reformimin e partisë, por kërkesat tona as që janë shqyrtuar ndonjëherë! Përkundrazi Isa Mustafa ka grumbulluar humbësit rreth zotit Hoti dhe i dorëzoi bastionet tona te „pionerët“ e Qosjes, pa i shkuar as mendja se duhet marrë përgjegjësi dhe duhet lëshuar rrugë atyre që e kthejnë LDK-së aty ku e meriton. Këto ishin arsyet pse unë pas 30 vite aktivitet u detyrova i mllefosur të largohem nga strukturat e LDK-së.

Image

Tani kur LDK-së ka rënë nën 13%, dorëheqja e zotit Mustafa nuk çon kurrfarë peshe, ky njeri së bashku me Agim Veliun, Bajram Gecajn, Skender Hysenin, Driton Selmanajn, Arben Gashin e disa të tjerë që krejt fushatën e kishin të orientuar kundër zonjës Osmani ishte aq kontra produktive sa që ajo ua rrëmbeu më shumë se gjysmën e elektoratit! Tani LDK-së së rrënuar për toke i vyen edhe një dekadë për ta rimarrë veten! Thënë shkurt, amanetin e shefave të PDK-së, Isa Mustafa e çoi në vend, për ta shkatërruar LDK-në e Rugovës!

Kur është fjala për zgjedhjet, çfarë mendoni për KQZ dhe sjelljet e shefes së këtij institucioni me votën e diasporës po diskriminohet, po masakrohet vota e diasporës. Pse ndodhë kështu kur dihet se më shumë se gjysma e Kosovës sot mbeten gjallë nga Gjermania, Zvicra dhe diaspora tjetër në vendet evropiane dhe Amerikë?

Xhevat Berisha: Zonja Daka është rreshtuar politikisht, gjë që bie ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit, largimi i saj dhe reformat në KQZ janë të pashmangshme.

Përveç që merreni me aktivitete kombëtare në Gjermani, ju jeni i njohur edhe si shkrimtar. Meqë jeni autor i gjashtë veprave, mund të na thoni për çfarë bëni fjalë në to?

Xhevat Berisha: Unë kam botuar gjashtë libra: „LULET PA AROMË, HELMI MBI PLAGË, PSE IKIN SHQIPTARËT NGA VENDLINDJA, DIE ANKUNFT DER KOSOV-ALBANER IN KAISERSLAUTERN, PO NISEM NGA VOGOQINCA dhe KTHEM NË BURGUN TIM“ dikush mund të më quajë poet por unë e di se nuk jam shkrimtar. Në librat e mija kryesisht kam shkruar për konfrontimet që i kemi pasur në periudha të ndryshme me armiqtë tanë serb, aty lexuesi mund të gjej edhe poezi të shumta që lidhen me qëndresën e popullit tanë dhe me masakrat që Serbia i ka kryer kundër popullit ton. Në librin në gjuhën gjermane kam shkruar për historinë tonë dhe masakrat që Serbia i ka bërë kundër nesh, kritika këtë botim e ka mirëpritur shumë mirë, dhe ky libër përveç që është futur në biblioteka, ai tani gjendet edhe i zyrtarizuar në arkivin e qytetit Kaiserslautern.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat