Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e ndërmarrja “Ibër Lepenc”, ku kanë biseduar për mundësinë e përfshirjes së Gjilanit dhe Anamoravës në projektin që parasheh zgjidhjen e problemit të ujit për 100 vjetët e ardhshëm dhe njëkohësisht ndikimin në zhvillimin e sektorit të bujqësisë përmes sistemit të ujitjes.
Haziri ka potencuar rëndësinë e madhe që ka ky projekt për Gjilanin dhe Anamoravën, pasi, siç ka thënë ai, problem për këtë regjion mbetet ende furnizimi me ujë të pijshëm.
“Mundësia e përfshirjes së Gjilanit dhe Anamoravës në këtë projekt prej afro 500 milionë euro, është një mbështetje jetike që i jepet qytetarëve për 100 vjetët e ardhshme dhe një mundësi e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në këtë regjion. Ky grant nga Banka Botërore dhe i implementuar së bashku me Qeverinë e Kosovës, nuk parasheh implikime buxhetore të Komunave, Gjilan, Viti, Kaçanik, Shtërpcë, Ferizaj, Shtime dhe Lipjan”, tha Haziri.
Ai ka thënë se pas përfundimit të fazës së studimi i fizibilitetit, për mundësinë e përfshirjes së Gjilanit dhe Anamoravës në këtë projekt, pasi që parashihet që gjendja në këtë pjesë të ndryshojë rrënjësisht sa i përket ujit të pijes dhe zhvillimit të këtyre Komunave.
Ndërsa, ekspertja e angazhuar për studimin e fizibilitetit, Karina Zachodni, ka potencuar se vlera e përafërt e projektit parashihet të jetë rreth 500 milionë euro dhe do të mundësojë një jetë më të mirë për qytetarët, por edhe kapacitete të mjaftueshme për ujitjen njëkohësisht.