Haziri: Gjendja me Covid-19 është alarmante dhe kërkohet vaksinim masiv i qytetarëve

Gjilani

Haziri: Gjendja me Covid-19 është alarmante dhe kërkohet vaksinim masiv i qytetarëve

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 13:18
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë Covid-19, në bazë të vlerësimeve ndërinstitucionale, vlerëson një gjendje të tendosur dhe kronikë e zezë, për shkak se janë aktive 1063 raste me Covid-19.

“Ky është numri më i madh i të infektuarve në Komunën e Gjilanit dhe deri më tani 150 qytetarë kanë humbur jetën. Kjo është gjendje shumë e rëndë dhe kërkon bashkëpunim të përgjithshëm, në respektim të masave mbrojtëse dhe vaksinim. Në regjistrin e vaksinimit konfirmohet se deri mbrëmë janë dhënë 34475 vaksina. Është e vetmja mënyrë për rritje të imunitetit kolektiv, prandaj apeloj që të vaksionoheni sa më shumë, sepse kështu mund të tejkalojmë më lehtë infeksionin. Vetëm me vaksinim, mund ta ruajmë jetën, familjen por edhe vendin e punës”, ka thënë kryetari, Lutfi Haziri.

Ai më tej ka apeluar edhe në qeverinë e Kosovës që orari i vaksinimit të jetë në formatin 24 orë dhe 7 ditë në javë, me dinamikë të re dhe më intenzive, me mobilizim më të madh shtetror, për t’u dhënë mundësi Komunave për menaxhim në baza ditore në mënyrë që ta përmbyllim vaksinimin.

“Gjilani ka mundësi për të organizuar edhe lokacionin edhe kapacitetet, mirëpo duhet që qeveria këtë shërbim ta bart në Komuna si kompetencë. Ne nga palestra e sporteve, ku është duke ndodhur vaksinimi tani, mund të aktivizoj edhe tri qendra tjera për të vaksinuar sa më shumë qytetarë”, ka theksuar Haziri.

Haziri ka apeluar qytetarët që masat anti kovid të zbatohen nga të gjithë në përpikri, sipas urdhresës së qeverisë, që parasheh edhe anulimin e ahengjeve, dasmave dhe organizimeve të tilla, duke bërë kështu që edhe festivalli “Mish Mish”, i paraparë për nesër në bazë të kalendarit për mërgatën, shtyhet për një datë tjetër, për shkak të kushteve dhe masave të reja që janë publikuar nga niveli qendror.

Për ndryshe, në bazë të statistikave të përgjithshme raste aktive me Covid-19 janë 1063 raste, të shëruar janë 6539 raste, fatkeqësisht jetën e kanë humbur 150 qytetarë, kurse numri total i rasteve pozitive deri më sot ishin 7753 raste, ndërsa të hospitalizuar janë 72 pacient me covid.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat