Rëndësia e Kuvendit të Lezhës të mbajtur me 2 mars 1444, 575 vite më parë, është e padiskutueshme përsa i përket dëshirës për tu bashkuar për të luftuar armikun e përbashkët osmanët, por edhe në ditët e sotme do të ishte një nga shembujt e shkëlqyer por të rrallë se si shqiptarët lanë grindjet dhe cic micet ndërmjet tyre dhe u bashkuan për të mbrojtur tokat e tyre dhe popullin e tyre, si dhe për të ruajtur identitetin e tyre kulturor, fetar, dhe dëshirën për të qëndruar me kombet e krishtera.
Kjo për fat të keq kjo ngjarje e para 575 vitesh, përbën një kontrast të madh në ditët e sotme kur shikon se si `princërit` e sotëm të politikës shqiptare vazhdojnë me kokëfortësi të grinden, dhe nuk përpiqen fare për tu bashkuar dhe për tu integruar sa më parë në BE.
Sipas Historisë Besëlidhja e Lezhës i organizuar nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu me përkrahjen e plotë të Princit fitimtar Gjegj Arianit Komneni dhe me pjesëmarrjen e shume princërve ortodoksë të Arbërisë dhe Epirit , që quhet rëndom nga Historianët edhe si Kuvendi i Parë i Lezhës, u mbajt si sot 575 vite më parë në Katedralen e Shën Kollit (Shën Nikolla) Lezhë, një kishë e cila duhet të ketë qenë brenda murit rrethues të Kështjellës ( Kalasë) së Lezhës dhe jo jashtë saj.
Qëllimi kryesor i kësaj Besëlidhjeje ishte mbrojtja e tokave dhe popullatës së Arbërisë dhe Epirti nga Perandoria e fuqishme osmane si dhe bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Ky kuvend mbështetej edhe nga Papa pasi me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Objektivat kryesore të cilat u shtjelluan dhe u miratuan nga të gjithë princërit e asaj kohe të Arbërisë dhe Epirit ishin:
1. Krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun .
2. Formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm .
3. Krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës .
Lidhja e Lezhës ishte aleancë politiko – ushtarake e princërve arbëror dhe njëherit ata ruanin dhe autonominë e luftës.
Pjesmarrësit në këtë Kuvend madhështor ishin princërit e tokave të Arbërisë dhe të Epirit:
Gjergj Arianiti- Komneni, princ i lavdishëm i cili për herë të parë mundi osmanët rreth vitit 1436, dhe e kishte kështjellën në Kaninë të Vlorës (nga ky fis rrjedh dhe Ismail Qemal bej Vlora por si familje e islamizuar). Më vonë Princi Gjergj Arianit-Komneni (me gjak blu, sepse rridhte nga Komnenët e Epirit Perandorë të Bizantit), u bë Vjehri i Gjergj Kastriot –Skënderbut sepse i dha Donika Arianitin për nuse, por ishte edhe babai i Angjelina Arianiti, shënjtore e Serbisë (dhe oshënare e Shqipërisë) siç quhet sot Shën Angjelina disa e të cilës është në kalendarin orthodox me 31 korrik.
Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karl Thopisë (Karl Topia futi për herë të parë osmanët në Arbërinë e asaj kohe më1862, duke i ftuar që të luftonin Balshajt), princi i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij Kominin e Muzakën dhe nga i nipi Tanush Topia;
Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë;
Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës;
Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë (Dukagjin-Metohi) gjer në kufi të Serbisë;
Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës;
Zaharia Gropa, Princi i zonave përreth liqenit të Pogradecit
Pjetër Spani, princ i Malësive të Shalës e të Shoshit i shoqëruar nga të katër djemtë e tij: Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon;
Lek Dushmani, princ i Zadrimës;
Stefan Çernoviçi (Gjurashi), princ i Malit të Zi se bashku me djemtë Gjergj dhe Gjon,
Moisi Golemi –Dibrani- ushtarak dhe drejtues i dibranëve, kushëri i Kastrioëve,
Hamza (Dhanil) Kastrioti –nipi i Gjegj Kastriotit, djali i Stanisha Kastrioti (konvertuar në islam, jetonte pas pushtimit në Kostandinopojë).
Përfaqësues të Venedikut, meqënëse Lezha ishte pushtuar nga Venediku duke kthyeredhe kishat i kishat orthodokse në katolike megjithse popullata fshatare ishte orthodokse dhe ajo qytetare ishte e prëzjerë.
Vendimet e kuvendit ashtu si u tha më lart ishin:Krijimi i një Beslidhje Arbërore në krye me Skënderbeun,formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit iI. Të ardhurat e ushtrisë së Besëlidhjes, në vit, vinin nga pagesat e princërve të Besëlidhjes, nga të ardhurat e principatës së Kastriotëve dhe nga shëllinat (minat e kripës) e Kampopeshkupit, afër Shën Kollit, në veri të Durrësit. Vlerën e një ushtrie të gatshme për luftë në çdo minutë Skënderbeu e kishte parë tek shërbimet e Jeniçerëve. Fitimet e Turqisë i detyroheshin këtij trupi ushtarak i cili ishte themeluar nga Sulltan Orhani
Pas Kuvendit të Arbërit Skënderbeu organizoi një ushtri prej 8000 kalorësish dhe 7000 këmbësoresh, ku një të tretën e përbënte garda e tij. Rreth 3000 veta formonin ushtrinë e rajoneve kufitare nën komandën Moisi Golemit. Në rast mobilizimi, do të krijoheshin reparte vullnetare. U organizua rrjeti i informacionit për lëvizjen e armikut.
Sikurse na njofton Barleci, sapo shpalosi në Kalanë e Krujës flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare, Skenderbeu shkoi prej një vend në vend tjetër për ta ftuar popullatën në luftë çlirimtare kundër zgjedhjes së huaj. Krahas kësaj ai shikonte si një hapë përpara e të domosdoshme, thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm në të cilin do të përfaqësoheshin sundimtarët e Arbërisë dhe të Epirit ( të cilët i përmendem më lart
Kjo ngjarje përbën hapin e parë për bashkim të të gjithë trojeve të Arbërisë dhe të Epirit përfshi dhe Kosovën. Hapi tjetër i dytë për formimin e shtetit shqiptar tashme, mbetet28 Nëntori i vitit 1912, ku përsëri Ismail Bej Qemal Vlora, një pinjoll i Princit të famshëm vlonjat Gjergj Arianit- Komnenit me gjak blu.
Besëlidhja e Parë e Lezhës së 2 MARS 1444, mbetet një shëmbëll se si fisnikët shqiptare i lanë mosmarrëveshjet midis tyre dhe u bashkuan për një qëllim të përbashkët-luftën kundër perandorisë më të fuqishme të asaj kohe-Perandorisë omane, duke mbrojtur gjithashtu dhe vlerat fetare kristiane të popullit dhe të Europës .
Le të shërbejë kjo datë përkujtimore edhe për drejtuesit e sotëm politikë të Shqipërisë për të lënë mënjanë grindjet dhe për tu bashkuar për të hyrë në BE.