Kjo fotografi që po shihmi është shkrepur gjatë njërës prej vizitave të shumta që bënte në SHBA Presidenti i parë e legjendar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Po e vë këtu me qëllim të caktuar dhe me thirrjën që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen nën frymën e tij patriotike dhe që misioni i tij të shërbejë si udhërrëfyes për politikanët e rinj të Kosovës se si duhet dashur atdheu.
Ibrahim Rugova diti ta sensibilizonte çështjen shqiptare në përgjithësi dhe atë të shqiptarëve nën Jugosllavi në veçanti. Ai duhet t’ju shërbejë si shembull se si të veprohet me miqtë tanë perëndimorë, posaçërisht me miqtë tanë amerikanë. Ky takim, që është një ndër shumë takimet e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u zhvillua në zyrën e senatorit amerikan Robert Dole, këtu në Washington në fillim të viteve 2000.
Delegacioni i Kosovës përbëhej nga Presidenti Rugova, Skënder Hyseni dhe Muhamed Hamiti. Në këtë takim ku mora pjesë edhe unë, i pranishë, ishte edhe kryetari i Degës së LDK-së në Amerikë dhe njëkohësisht zëvendëskryetar i Federatës PanShqiptare të Amerikës, Vatra, zoti Agim Rexhaj. Kujtojmë se pa Vatrën nuk mund të ketë kuptim historia e shqiptarëve të Amerikës. Zoti Rexhaj dhe Vatra ishin ndër ata pak shqiptarë që u nderuan më 24 Shtator 2019 në New York nga Kryeminsitri i Kosovës me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Disa vjet më parë zoti Rexhaj është nderuar edhe nga Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, në nëntor të vitit 2014, me çmimin “Nderi i Kombit”.