Komisia Letrare e Shkodrës

Historia

Komisia Letrare e Shkodrës

Nga: Bledi Filipi Më: 1 shtator 2020 Në ora: 17:26
Ilustrim

E ngritur me mbështetjen e Konsullatës dhe Komandës së Lartë Austro-Hungareze në Shkodrën e 1916-s, Komisia kishte si qëllim të zhvillonte më tej zgjidhjen e problemeve të arsimit dhe të gjuhës letrare shqipe pas Kongresit të Manastirit.( B.Beci ,Hist. Stand. 2010).

Komisia Letrare e Shkodrës u themelua 104 vjet më parë, pikërisht më 1 shtator 1916, kjo qe një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të kommbit shqiptar. Ajo i vuri vetes detyra të mëdha, të shumta e të rëndësishme. Ajo shfaqet mbi përmast e një komisioni dhe mund të krahasohet me kongreset arsimore të mbajtura në Shqipëri. Kjo Komisi qe një hap tjetër i rëndësishëm kombëtar pas atij të Kongresit të Manastirit 1908. Këtu po hidheshin themelet e standartizimit të shqipes.

Këtu bien në sy:

Patriotë dhe personalitete të shquara të kulturës kombëtare, siç janë : Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Në komisi morrën pjesë edhe albanologë të huaj si : Maksimilian Lamberc ( Vjenë) e Rajko Nahtigal (Grac).

Organizimi i shkëlqyer i Komisisë dhe veprimtarive të saj.

Detyrat dhe objektivat madhore që kjo Komisi i vuri vetes e shtroi për zgjidhje, duke shfrytëzuar rrethanat politike të kohës si dhe vendimet e rëndësishme që mori.

Konceptet e qarta teorike lidhur me rrugët e mundshme të formimit të gjuhës zyrtare të përbashkët shqipe, pa e shkëputur këtë çështje madhore të kombit me rregullat ortografike dhe duke pasur parasysh , mbi tëgjitha, detyrën e afrimit të dy dialekteve.

Komisia e themeluar u thirr më pas më 11 dhjetor 1916 , në të cilën u diskutua çështja e gjuhës së përbashkët, si një çështje e rëndësishme kombëtare. Pas debateve shkencore u vendos dhe u miratua njëzëri teza e Gurakuqit për zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë shkrimi.

“ Tue qenë se djalekti i Elbasanit edhe ndë pikpamjen e formavet, por sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si jë urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes, duhet të zgjidhet si gjuhë shkrimi me ato rregulla orthografike qi të na duken të drejta e t’arsyshmet. Po tue dhanë këtë vendim Komisia Letrare duhet të mbaj gjithmonë para sysh detyrën, qi të bahen kërkimet e nevojshme , qi të gjinden forma të mesme , të cilat t’afrojnë ndryshimet djalektologjike të dy dialekteve” ( L.Gurakuqi , Shënime 1967).

Këtë tezë të tij Gurakuqi e formulon dhe do t’ia paraqesë Komisisë.

Kjo Komisi e cila do të shtrihej në vitet 1916-1918, do t’i ngarkonte më 1917 prof. Rajko Nahtigal, Gjergj Pekmezit dhe Ndre Mjedës të bënin një ekspeditë hulumtuese në Elbasan e rrethina.

për të folmen e Elbasanit thekson: “ do konsideruar si një e folme kalimtare midis gegërishtes dhe toskërishtes. Si e folme në aspektin sintaksor paraqet , sintezë të shfaqjeve autoktone shqipe, më së paku me ndikime të huaja”. ( R. f. 17).

Komisia Letrare e Shkodrës mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit :

Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu si i kishte toskërishtja, dhe si i kishte pasë historikisht gegërishtja;
b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;
c) Vendosja dhe përdorimi i ë-ve të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.
ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);
d) formanti ‘u’ do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’ dhe jo si deri atëherë ‘u-lava’;
dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej atyre që janë vendosë nga KLSh-ja;
e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog–zogu (jo zok – zogu), etj.
f) mbaresat rasore do të shkruheshin –së, –në, –të, qysh nuk i kishte elbasanishtja.

Siç shihet vendimet e Komisisë Letrare të Shkodrës i dhanë një shtysë të madhe krijimit të një gjuhe të përbashkët. Ajo hartoi rregullat e ortografisë , që do të shërbenin për rregullat e mëvonëshme, përpiloi lista të gjera fjalësh , ku zbatoheshin rregulla , u kushtoi vëmendje edhe parimeve të terminologjisë dhe teksteve shkollore.

Komisia Letrare e Shkodrës me vendimet e saj çoi më tej njësimin e gjuhës shqipe e drejtshkrimin e saj. Ajo ofroj shumë dy variantet në shkrim dhe për nga rëndësia ajo radhitet pranë Kongresit të Manastirit.

Rregullat e saj qenë një pike e fortë orientuese për studimet e gjuhëtarëve të mëvonshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat