Historia e një prej spiunëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore: Prishtinasi “Cicero”!

Historia

Historia e një prej spiunëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore: Prishtinasi “Cicero”!

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 15:52
Foto Ilustrim

Cila është historia e spiunit më madh të Luftës së Dytë Botërore? Si i vuri kontaktet me Ambasadën gjermane në Turqi? Si u infiltrua në dokumentet sekrete britanike? Si i kopjonte ato? Si u zbuluan takimet sekrete mes Londrës, Washingtonit dhe Moskës? Cili ishte reagimi i gjermanëve? Si u dekonspirua bashkëpunimi i Turqisë neutrale me shtetet e Aleancës? Pse ministri gjerman i Punëve të Jashtme nuk besonte në këto dokumente? Në ç'mënyrë ai e bind Hitlerin se gjoja "Ciceroni" po i mashtron gjermanët? Si u përkthyen - me ndihmën e "Ciceronit" - kodet britanike? Cili ishte momenti më i rrezikshëm në jetën e tij? Cili gabim gjerman mund t'i kushtonte me jetë "Ciceronit"? Pse anglezët nuk dyshonin tek ai dhe pse kurrë nuk u kontrollua apartamenti i tij? Si u infiltrua agjentja amerikane në ambasadën gjermane dhe si e dekonspiroi atë "Ciceroni"? Pse gjermanët neglizhuan informatën për sulmin në Normandi, sulm ky që ndërroi përfundimisht rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore? A do ta fitonin gjermanët luftën po t'i merrnin parasysh informatat e ofruara nga ai? Telegrafi ju sjell një nga historitë më interesante të Luftës së Dytë Botërore, për spiunin shqiptar, Ilaz Bazna - “Cicero”.

Konsiderohet si spiuni më i suksesshëm i Luftës së Dyte Botërore, e në fund suksesi i tij u shumëzua me zero. Arsyeja kyesore për këtë ka të bëjë me armiqësinë personale të ministrit (JoachimVon Ribbcrttrop), me shefin e Policisë Sekrete Gjermane (Ernst Kaltenbrunner), që hodhi në erë të gjitha përpjekjet për të shfrytëzuar plotësisht depërtimet sensacionale të “Ciceronit” në sekretet britanike. Arsyeja tjetër ndërlidhet me faktin se pjesa më e madhe e pagesës së “Ciceronit” – rreth 250 000 funte angleze – u krye me bankëno tafalse, të shtypura nga vetë gjermanët

Ambasada britanike

“Ciceroni” është pseudonimi me të cilin nazistët e kanë regjistruar shërbyesin personal të Hughe Knatchbull-Hugessen, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Turqi, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Në një hark kohor prej gjashtë muajsh (1943-1944), “Ciceroni” vodhi dokumentet sekrete britanike, të cilat ua shiti gjermanëve. Emri i vërtetë i tij qe llaz Bazna dhe nuk kishte as përvojë e as aftësi për t’u bërë mjeshtër i vërtetës spiunazhi.

Sipas fjalëve të shefit të tij të drejtpërdrejtë – bashkëpunëtorit austriak të SD-së (Shërbimi Sekret Gjerman) – Ludwig Moyzisch, “Ciceroni” shkon në rezidencën e Sekretarit të parë të Ambasadës gjermane, Albert Jenke, më 26 tetor të vitit 1943. Prej aty atë e shoqëruan tek Moyzisch, të cilit “Ciceroni” i ofroi dokumente sekrete për 20 mijë funte në dorë.

Versioni i thënë nga vetë “Ciceroni” të bën të dyshosh në fjalët e atasheut gjerman.

Gjermanët e njihnin edhe më parë atë, sepse kishte punuar si shofer tek Jenke. Mirëpo, është pushuar nga puna, pasi i kishte “futur hundët” në letrat e tij personale, disa nga të cilat i ka fotografuar”. Pas këtij rasti, sipas vetë fjalëve të “Ciceronit”, ai vendosi të bëhej spiun. Ai nuk përmend nëse – kur e zunë për spiunazh tek Jenke – e vunë para dilemës: ose të pranonte ndëshkimin, ose të bëhej spiun gjerman.

Sidoqoftë, një ditë ai iu përgjigj njoftimit të dhënë në një gazete turke, në të cilën thuhej se sekretarit të parë të Ambasadës britanike i duhej një shofer. Në bashkëbisedimin e bërë në Ambasadën angleze, ai shpjegoi se kishte lindur në Prishtinë, por se si fëmijë familja e tij ishte shpërngulur në Turqi. Ai mund të fliste turqisht, frëngjisht, pak gjermanisht dhe greqisht (lexonte dhe kuptonte edhe anglisht, por nuk e fliste mirë).

Shërbimi i sigurimit të ambasadës britanike, sillej disi pakujdesshëm. Vetë fakti që ky njeri kishte punuar në Ambasadën gjermane, ishte i mjaftueshëm që të ngjallte dyshime. Mirëpo nuk u bë asnjë verifikim: gjatë verës 1943, “Ciceroni” u pranua në punë si shofer personal i sekretarit të parë të ambasadës britanike. Nga vetë pohimet e tij, pa kaluar shumë kohë, kishte filluar të lexonte dokumentet sekrete, të cilat sekretari i parë i merrte në shtëpi për t’i punuar mbrëmjeve

Por, “Ciceroni” e kuptoi se për t’u bërë spiun i vërtetë, duhet të depërtonte në Ambasadën britanike. Gjate vjeshtës së vitit 1943, i erdhi shansi i cili nuk duhej humbur: mori vesh se ambasadorit britanik i duhej një shërbyes personal.

Bashkëpunëtori i “Ciceronit” në Ankara: ambasadori gjerman, Franz Von Papen

“Ciceroni” ishte njeri me fantazi, prandaj i vardisej Maras, dados tërheqëse që shërbente në familjen e sekretarit të parë (e cila para pak kohësh kishte përjetuar disfatë në dashuri). Ai i dha shenja se e dashuronte, ndaj “për të më mirë të saj”, “për t’iu shmangur një fatkeqësie të madhe”, tha se do të largohej nga puna!? Mara, së cilës i pëlqente t’i vinte rrotull, filloi të protestojë. Kështu, “Ciceroni”, me dinakëri tha se ndoshta nuk do të ishte keq sikur të bëhej shërbyes i ambasadorit; atëherë ata mund të vazhdonin të takoheshin, pa qenë të punësuar në të njëjtën ndërtesë.

“Do t’ishte mirë sikur t’i thoshe ndonjë fjalë, zonjës tënde, për mua”, tha ai. Dhe, Mara kështu veproi…

Në gjysmën e dytë të tetorit, “Ciceroni” u thirr për të biseduar me Knatchbull-Huggessen. Pasi i bëri disa pyetje, ai i tha “Ciceronit” se ishte pranuar dhe se mund të fillonte menjëherë nga puna. Më pas, duke injoruar praninë e tij, ambasadori vazhdoi të diskutonte me sekretarin e parë telegramet e rëndësishme, që sapo kishin mbërritur nga Londra.

Po atë mbrëmje, “Ciceroni” vuri re se sekretari i parë mori nga ambasada dokumentet e sapombërritura, për të punuar në shtëpi. Mirëpo, në mbrëmje kishte lënë një takim, kështu që me ndihmën e një fotoaparati të vogël të marrë borxh tek një i njohur – i fotografoi ato. Te dokumenti i parë jepeshin shifra të hollësishme për dërgesat e materialeve nga Shtetet e Bashkuara për në Rusi, gjatë dy vjetëve të para pas realizimit të marrëveshjes “lend-liz” (marrëveshje sipas së cilës ShBA-ja do të furnizonte vendet e koalicionit antifashist me armë).

Shefi i policisë sekrete gjermane: Ernst Kaltenbrunner

Dokumenti i dytë ishte protokolli i takimit të parë – të Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve aleate – në Moskë.

“Ciceroni” mendoi të bëjë hapin e dytë. Ai konstatoi se ndonëse dokumentet sekrete ruhen të sigurta në zyrën e Ambasadës, telegramet, mesazhet dhe memorandumet më të rëndësishme ambasadori i merrte në dhomën e gjumit, në një çante të mbyllur të Ministrisë së Punëve të
Jashtme. Natën vonë, ose herët në mëngjes, i shtrirë në shtrat, ambasadori i shfletonte ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat